Sunday, December 7, 2008

René CHAR dhe përcaktimi i poezisë
nga
Jean STAROBINSKI (Genève, 1920), kritik sviceran i dialektit francez. Privilegjon eksperiencën e një « këndvështrimi » analitik që, duke mbetur krejtësisht jashtë veprës, përpiqet të depërtojë brendësinë e autorit: Jean-Jacques Rousseau, Tejdukshmëria e Pengesa (1957), Fjalët nën Fjalët (1971), Montaigne në lëvizje (1982), etj. Duke prishur kufijtë midis letërsisë, arteve e shkencave shoqërore, Starobinski ka a zhvilluar, brenda të njëjtës lëvizje, një teori kritike e letrare. Për atë, saktësia e këndvështrimit kritik nuk mbështetet mbi efektshmërinë e një metode por mbi një vajtje - ardhje të përhershme ndërmjet këndvështrimeve të ndryshme plotësuese. Në përmbledhjen me artikuj Syri i gjallë (1961), ai dallon në fakt një këndvështrim të « brendshëm », që ekzaminon thellësinë e veprës, dhe një këndvështrim “që del jashtë”, që lidh tekstin me mjedisin e tij historik: nga pajtimi i këtyre dy ekstremeve deri në kryqëzimin e afrive strukturale, tematike e psikanalitike, çpështillet kuptimi i veprës.

_______________
Nuk ka poemë ose rresht të veçantë të René Char që mos të na japë ndjenjën e hapjes. Një hapësirë e zmadhuar shfaqet përpara nesh, na ndriçon, i afrohet syve tanë të hapur. Kjo hapësirë nuk i ka privilegjet e ëndrrës, është vëllimi gëlues dhe i ashpër i qëndrimit tonë tokësor, është çasti i frymëmarrjes sonë të tanishme, që shfaqen në shtrirjen e tyre të plotë. Një vend i banuar shfaqet fuqishëm; dhe shtrirja e tij na bëhet e ndjeshme nga përmbushjet e një emocioni që nuk duron ta ndjejë veten të shkëputur nga energjitë e mëdha të natyrës: dallojmë ardhjen e “lëndës-emocion, mbretëreshë e një çasti”. Por ndjenja e hapjes, që provojmë kur lexojmë Char, nuk varet vetëm nga ky zmadhim sfilitës i vendit dhe i çastit të tanishëm. Poema, aq qartë e vizatuar para shikimit tonë, na bën të ndjejmë dy brigjet e saj të heshtjes; zhvillohet mes një të shkuare e një të ardhmeje, shkëputet nga një hapësirë e fillesës dhe i ngjitet një largësie, që nuk mund veç të parandihet e që është e përcaktuar të mbetet e paarritshme. Fjala poetike rrethohet nga një këtej dhe një andej që nuk bashkohen e nuk emërtohen, por që energjia e poemës nuk rresht së treguari. Ndjenja e hapjes nuk del aq nga shtrirja që i ofrohet pushtetit të shikimit tonë, por varet më shumë nga mënyra me të cilën Char, duke i dhënë së tashmes dhe pranisë gjithë shkëlqimin e tyre, ruan pacenueshmërinë e largësisë e të mungesës. Alkimia e madhe e poemës qëndron në përfshirjen e gjuhës në të tanishmen, në lëvizjen aktuale të fjalës, një lidhje vigjilente e asaj që nuk lejon të zotërohet, as të emërtohet, me atë që manifestohet e që tërhiqet në pauzën absolute. Përkufizimit të mahnitshëm “Poezia është dashuria e realizuar e dëshirës së parealizuar” i bashkëngjitet kjo thënie: “Të eliminosh largësinë vret. Zotat nuk vdesin veç duke qëndruar mes nesh.

Hapja, siç shihet, nuk kufizohet vetëm me arritjen pozitive të një horizonti të gjerë që i ofrohet soditjes. Ajo përvetësohet negativisht për aq sa fshihet; lind nga kontrasti dramatik mes një këtu-je dhe një gjetiu, mes vezullimit të së tashmes dhe fundit të pakapshëm nga ku shkëputet. Funksioni i poezisë, siç përsërit vazhdimisht Shar, është ruajtja e kësaj përballjeje të kundërtash, është të mbledhësh prej saj vuajtjen dhe frytin; poeti kështu mund të na shfaqet me pamjen e dyfishtë të të plagosurit e të pajtuesit. Aforizmat e Char ofrojnë një shembull të përsosur të tregtisë dashuruese e luftarake që ruan të kundërtat. Këto tekste, veçanërisht aq të gjalla, nuk janë shkruar me një bojë të ndryshme nga ajo e pjesës tjetër të veprës. Janë poema që mezi presin të manifestojnë universalen, në to, siç thotë aq mirë Maurice Blanchot, “poezia, ...poema e esencës së poemës, ...poezia e vënë përballë vetvetes e dukshme në thelbin e vet, përmes fjalëve që e kërkojnë atë”. Në shkrimin aq të fortë e urdhërues, aforizmat duken si fillime të mbyllura në një përkufizim për të përcaktuar një të vërtetë, për të përmbledhur një normë. Po t’u kushtojmë atyre gjithë vëmendjen tonë, do të shohim pak e nga pak përgjigjen të kthehet në pyetje; mungesa, e ardhmja, largësia, vendosja në zemër të kësaj forme në pamje të mbyllur deri në çarjen e mbështjelljes; përkufizimi i vënë në dispozicion të të papërcaktueshmes, dhe rregulli i fiksuar vetëm për t’u çliruar. Duke zgjedhur, mes të gjitha mënyrave për t’u shprehur, atë që nënkupton shtrëngesën më të madhe, Shar e kthen atë në instrument çlirimi. Tkurrja e fjalës sjell zgjerimin e kuptimit. Aforizma parashtron në mënyrë autoritare rregullin e botës, por, sipas shprehjes së bukur të Char, bëhet fjalë për një “rregull kryengritës”.


“Poeti transformon me shpërfillje disfatën në fitore, fitoren në disfatë, perandor i paralindjes vetëm i interesuar për vëllimin e qiellit të kaltër.”

Magjistar i pasigurisë, poeti nuk ka veç kënaqësi të përshtatura. Hi gjithmonë i paplotësuar.”

Këto tekste për të cilët do të ishte shumë i përshtatshëm termi bodlerian “fusées“ (raketa) mbartin në vetvete, si një rezervë energjie shtesë, shkakun e shpërthimit të tyre në lartësinë e qiellit të ndriçuar. Tkurrja formale e aforizmit është në marrëdhënie kundërshtuese me një hapësirë të shndritshme, që për të është e huaj vetëm për ta bërë më përsosmërisht plotësuese.

Forca është e heshtur. Imazhi i saj jo.”

“( Unë dua atë që më verbon pastaj theksoj, errësirën brenda vetes. )”

Çasti godet; copëton heshtjen e natën e të pritjes. Më pas nata ribëhet. Është vetëm një imazh, mes të tjerëve, i lindjes së ngjarjes poetike: poeti është padron ta përcaktojë sipas qejfit të tij (sipas hijeshisë që atij i jep bota) këtë çast, që do të mbetet si një gjurmë tronditëse. Është fuqia që e rrethon çastin, në dy brigjet, e së shkuarës dhe së ardhmes, është shumë i pakapshëm, për të mos kërkuar lojën e imazheve më të llojllojshme. Nga lind poema? Cilit horizonti i është caktuar? Kjo fillesë e ky fund përfshihen nga poema në tensionet e brendshme dhe në thëniet e saja më të gjalla. Imazhi i natës kthehet në siguri, në ngulmim, i shoqëruar me imazhin e humusit, të shkëmbit, të dimrit, të ankthit.
Rilexohet mbi të gjitha poema e mrekullueshme titulluar “Mbi një natë pa zbukurime”. Edhe në shumë poema të tjera lihet të kuptohet një fund i errët. Një ankth i dhimbshëm “në sfond”.
Por duhet të shtojmë menjëherë se bëhet fjalë: për një ankth luftarak, një ankth që bën pjellor, sepse ushqen vrullin që e mohon atë. Ndjehet me forcë heshtja e errët, nga e cila çrrënjosen më shumë se një poemë; perceptohet gjithashtu heshtja që çdo fjali, pasi është formuar, lë pas një heshtje të krahasuar me ujin e ndenjur e të zi, ku tharmëtohet jeta që lind.
René Char nuk është poet i nostalgjisë; nuk joshet nga fillesat as nga tundimi i vështrimit retrospektiv. Nëse thërret në shpirt dhe ndjell vendet e natës së fillesës, e bën sepse i përket, me “themel”, lëvizjes që shkëputet prej tyre. Vepra e Char, në karakteristikat e saj më të përgjithshme, shfaqet si një ngritje që, duke e lënë pas krahëve një krahinë nate, synon, nëpërmjet ndriçimit të kulluar të ditës, drejt një rreziku të mëtejshëm. Por ngjarja poetike nuk siguron vazhdimësinë e kohëzgjatjes: nuk është pika kalimtare ku e shkuara rrjedh në mënyrë të përhershme drejt së ardhmes. Këtu karakteri kalimtar manifestohet nën pamjen e këputjes, të ndarjes.

***
Ngritja e fjalës. Ngritja, në kuptimet e shumta të saj, është sigurisht termi më i përshtatshëm. E praktikuar sidomos për imazhet e ngritjes, aq të shumta në poezitë e Sharit, tregon lëvizjen e asaj që ngrihet, - dukjen e një arkipelagu vullkanik, përplasjen e dallgës, gufimin e zëmrës, fluturimin ngritës të shqiponjës; përcakton gjithashtu ngritjen e gjuhës në kuptimin e plotë të saj, në lartësinë zotëruese të saj, truall ku gjithë kuptimet e fjalëve dalin të pajtueshme me aftësinë më të gjerë metaforike (në shkëmbimin e fuqive midis abstraktes e konkretes).
Poezia e Char përveç kësaj, është ngritje në kuptimin e kryengritjes, të vrullit të revoltës, të energjisë rebele. Imazhi i ngritjes lejon kështu të dallojmë virtytet themelore të poezisë së Char: ankthi i mobilizuar, lartësia e fituar, kundërshtari i sfiduar, janë virtytet e një njeriu përveçse ato të një vepre.
Poeti është në çdo gjë bashkëkohor i fjalës së tij; nëse në rastin e Char është e mundur të thuhet se poeti ka lindur nga poema, duhet shtuar menjëherë se poema është rreziku i pranuar, në të cilin një njeri zhduket për të rilindur poet. Është dikush në fillesën e ngritjes - që nuk do të jetë më i njëjti në “kreshtën e njohjes“ ku e çon lëvizja e tij. Kjo do të thotë se akti poetik është i pandashëm nga një përqasje: ankthi, lartësia, kundërshtari, të gjitha ato që ka provuar René Char, me intensitetin më të lartë, si në luftën konkrete ashtu edhe në dimensionin imagjinar. Lartësia është privilegji i lavdishëm i poemës, dhe është në të njëjtën kohë trualli ku shndrit dielli i dyfishtë i dashurisë (“udha e par(h)élie-së ”); lidhur me ankthin, duke i bërë ballë së keqes, duke sfiduar gjatë rezistencës kundërshtarët më të tmerrshëm realë, poeti i bëhet garant fjalës së tij rebele.
Kam përmendur tani për tani vendin e fshehtë, që shfaqet në fillim të poemës, vendin e saj të paralindjes: natën, tokën, ankthin, shkëmbin. Por një fillim kundërshtar është në mënyrë të menjëhershme në vepër një fillim mbartës energjie të përqendruar dhe të aftë për të kundërshtuar, herë me përpjekje të durueshme, herë me shpërthim të papritur. Shari e bën këtë të qartë me imazhe të një larmie shprehëse: fara në tokë, burimi në shkëmb, shkreptima natën, shkëlqimi i yjeve në thellësinë e territ. (Në një mënyrë që nxjerr veçanërisht në pah kërkesën gjithmonë të skajshme të Char, imazhi i konstelacionit ose i morisë së meteorëve manifeston kundërshtinë midis shkëlqimit të shndritshëm dhe territ në aspektin e një shkëlqimi të shumëfishtë në luftë me uniformitetin monoton të qiellit të natës; kontrasti midis dritës e natës ndahet në dysh, çdublohet, si të thuash, këtu mes të shumëfishtës e pjesës.) Lëvizja tashmë e papërmbajtshme lind nga një përplasje kundërshtarësh luftarakë e dashurues, teatri i së cilës nuk është as bota “e jashtme” as “vetëdija” e izoluar, por përkatësia e tyre e përbashkët. Për atë që ka veshë, pas më shumë se një poeme të Sharit zbulohet një çift pjellor, një lojë kundërshtarësh ose deri të papajtueshëm, që mbajnë njëri-tjetrin, me qëllimin e një goditjeje, të një currili, të një avancimi, që nuk do mundin tashmë të mbahen para se të kenë shpenzuar gjithë energjinë motorike, me të cilën, ndjenjat e origjinës ato i kanë pajisur. Në poemën e bukur e të shndritshme “Të shpallësh emrin e tij ”, ku Char kujton fëmijërinë, çifti prodhimtar është shkujdesi e dhimbja. Sapo rikujtohen këto dy të papajtueshëm, krijojnë një përshpejtim:

“Isha dhjetë vjeç. Përroi Sorgue më ruante. Dielli këndonte orët mbi sahatin e thjeshtë të ujërave. Shkujdesja e dhimbja kishin gdhendur gjelin prej hekurit mbi çatinë e shtëpive dhe mbaheshin bashkë. Por cila rrotë në zemrën e fëmijës në përgjim, kthehej më fort, kthehej më shpejt se ajo e mullirit në flakën e tij të bardhë? “

Në fillim të kësaj poeme lajmërohet ngadalësimi tipik i imazheve të kujtesës e, në veçanti, të kujtimeve të fëmijërisë. Gjetkë, një lëvizje e shpejtë e gati e menjëhershme, e çon poemën nga origjina në kulm, nga lindja fillestare në “majën aktuale të stërpikjes me diamante”, ku ndriçohet e tanishmja e paqëndrueshme dhe e hidhët. Shpesh, siç kemi parë çastin e shumëfishtë, tufat e shkëndijave, grupin e meteorëve - figurat shumës, në të cilat uniteti i së tashmes copëtohet, konfigurohen si tema të privilegjuara. Por nuk mund ta detyrojmë një poet të lirë si Shari drejt përsëritjes së ngulitur të së njëjtës udhë e të së vetmes skemë dinamike. Sa janë poemat, që në këtë vepër na flasin për vrullin e vonuar, për durimin, për përballimin në një element kërcënues (koha e natës, kohë e pamëshirë dhe padrejtësie), element i bërë pjellor nga përgjimi që banon tek ai dhe që pret rrugëdaljen?

“Do të mbartin degëza ato që dinë të këmbëngulin për të përdorur natën nyje-nyje e cila i paraprin dhe ndjek vetëtimën.”

Në ngritjen e fjalës nuk vlejnë, për përvojën poetike, vetëm fillimi e maja: Char e di mirë çmimin që duhet të paguajë në cakun, në periferi, në vijën e kufirit, në të çarën - në të gjitha vendet ku realizohet rrugëdalja vendimtare mes fillesës së errët e fundit të pashprehur. Poeti na thotë se është një “transportues i drejtësisë”, “një kalimtar që synon të kalojë”. E nëse i përket “herakëve”, nuk është vetëm sepse i përket diellit të parë, por edhe sepse ka ditur të përgjojë në mes të natës kuqërrimet e agimit. Në pikën e kalimit, konflikti nuk shfuqizohet: të kundërtat qëndrojnë njëra përballë tjetrës, aspekti tragjik i kundërvënies mbetet tërësisht, por paraqitet një hov i ri, të cilin poeti e miraton:

“Gjendja shpirtërore e diellit që agon është ngazëllimi, me gjithë ditën mizore dhe kujtimin e natës. Çehrja e lëmshit bëhet kuqërrimi i agut .”

“Ne s’mund të jetojmë veçse në një gjysmë hapje (plasë), saktësisht mbi një vijë ndarëse hermetike të hijes e të dritës. Por ne jemi flakur në mënyrë të pakundërshtueshme përpara. Gjithë qenia jonë i jep ndihmën dhe marramendjen kësaj shtytjeje.”

Çdo manifestim përshkon një limit, kapërcen një pengesë, rrezikohet në një hapësirë të paparashikuar. Çastet e para të poemës, të dashurisë ose të lumit, janë të lidhura mes tyre nga analogji të fuqishme. Mbartin në vetvete zbulimin dhe shtegun; e nëse ka aty vende ose objekte të privilegjuara - le të themi edhe: të shenjtë - në universin e Sharit, janë ato ku gdhendet gjurma e një kalimi: guri i pragut, një shteg i përshkuar nga një forcë fitimtare, shkëmbi i burimit të Voklyz, ku një carreau ambiguo (breg i dykuptueshëm), që bashkon e ndan, dhe e brendshmja dhe e jashtmja tregojnë kufirin e tyre të bashkuar.
Në kufirin e skajshëm të ngritjes poetike gjejmë një prag të ri, por një prag të ndaluar, që nuk mund të kapërcehet më. Maja ose pika kulmore nuk është një qëllim përfundimtar i fituar e i zotëruar. Nëse poema vërsulet drejt lartësisë së saj më të madhe - dhe ndodh që të arrijë aty me një ritëm të jashtëzakonshëm, - do të gjendet aty më pak e pasur nga fitorja e saj, sesa gulçuese nga ajo që i mungon dhe i largohet asaj. Pika e kulmit është diçka e një çasti, ku e panjohura, e ardhmja, heshtja manifestohen me shmangien e tyre të njëjtë.

“Pas anomalisë së fundit, ne kemi arritur në kreshtën e njohurisë. Ja minuta e rrezikut të madh: ekstaza përpara zbrazëtirës, ekstaza e re përpara zbrazëtirës së gjallë. ”

Cilido qoftë imazhi që poeti na propozon për cakun e arritur - kulm i kënaqësisë, delta e lumit, kreshta e valës, zeniti i shigjetës ose i yllit, - atje fitorja kthehet në mënyrë të lavdishme në disfatë. Kështu, i vetëdijshëm për kufijtë e tij, por i vendosur me këmbëngulje për mos t’iu nënshtruar, poeti e gjen veten të udhëhequr në natën e pakufizuar të origjinës së tij, në burimin e vrullit të tij. Kulmi te Char përjashton akumulimin progresiv. Midis një të shkuare të shuar e një “të ardhmeje të paparashikuar”, kreshta më thikë e së tashmes - ku bashkohen vigjilenca, furia, emocioni, mendimi, marramendja, – nuk është vendi i një banese të mundshme. Dinamika e aktit poetik nuk lejon te Shari gjetjen e qetësisë në majë:

“Arka e të gjithë neve, përsosmëria, e mbytur në çastin e pavezës madhështore. Në mbetjet e saj e pluhurin e saj, njeriu rishfaqet nga koka e të sapolindurit. Tashmë gjysmë lëng e gjysmë lule.”

"Kur vuante natën, poeti përgjonte çastin e kalimit; por fjalës, në pikën skajore të trajektores së saj, i ndalohet të banojë".

"Poezia jeton pagjumësinë e përjetshme".

***

Poeti i bën ballë të panjohurës. “Si mund të jetosh pa të panjohurën para vetes.” Ky aforizëm i Char, të cilit Maurice Blanchot i ka kushtuar një koment të mahnitshëm, e vendos jetën - poezinë, pra, në një linjë të zgjatur krahasimi. E panjohura: ajo që nuk mund ta zotëroj, ajo që më mban syçelur pa pushim, ajo që më rrethon e më ngacmon, pjesa armiqësore që më vesh, horizonti i paarritshëm ku farkëtohet fati im. Por ashtu si poeti nuk rri pasiv, ashtu edhe e panjohura nuk mbetet asnjanëse dhe pa fytyrë: do të manifestohet në ngjarjen që prish pusinë e palëvizshme. Nga thellësia e së panjohurës rilind kërkesa, dhe poeti ka për detyrë të përgjigjet. Fati prodhohet, e poeti duhet të prodhojë si përgjigje “të pashtershmin realitet të pa krijuar”. Nga horizonti ende i pakualifikuar, ku qëndron e pa prekur rezerva e së panjohurës, ja po vijnë lajmëtarët e të panjohurës: fatkeqësia e rreziku, - ose fati. Një goditje, - ose një dhuratë. Vrasësit e përbindëshat, - ose bukuria e pashpresë, gjithmonë e pritur. Poeti u del atyre përpara me përgjigjen e duhur. Kudo në veprën e Sharit gjejmë shqyrtimin e teksteve (përpunimin e tyre nga ana metrike), dy kohët e një provokacioni të botës e të një përgjigjeje të poetit; vetëm nëse në rregullin e kundërt, veprimi njerëzor nuk e paraprin replikën e botës; gjuetari qëllon, pylli flakëron; te “Dielli i ujërave” peshkatarët hedhin në erë pengesën, “pastaj uji ia mbath duke vluar, uji i çliruar nga shpërthimi, uji ka imazhin e burimit”. Çasti i dhunshëm, rrokja e shkurtër e shpërthimit ndiqet nga një rrokje e gjatë, replika e furishme e natyrës së çliruar nga veprimi i përpiktë e i pastër i revoltës njerëzore. Çiftuar me të panjohurën, poeti është kështu i miratuar për duel e duhet ta rregullojë përgjigjen ndaj provokacionit të botës. Kur historia është deng me krime, përgjigja e drejtë qëndron tek ulja e zërit, në “gjumin” e poezisë. Njeriu atëherë hidhet në veprim dhe i lë poezisë një vend anësor, ku është ruajtur thelbësorja. “Gjethet e Hipnozës”, “të cilave edhe një zjarr bari i thatë do të kish mundur t’u bëhej atyre botues”, sjellin dëshminë: poeti shpëton të vërtetën e poezisë, duke e afruar atë me heshtjen, duke shtrënguar dhëmbët para gjakut të derdhur. “I jam përgjigjur goditjeve”, do të shkruajë ai. Tekstet e epokës së Rezistencës janë gjurmë të mungesës ose të internimit të poetit, të gjitha të marra nga “detyrat e ferrit” të tij. Por janë në të njëjtën kohë garant të një “pranie të zakonshme” premtuar së ardhmes, e tashmë provuar para kohe. Nuk do kishte qenë e përshtatshme të këndoje me sa zë kishe në kokë. Vetëm heshtja, në këto çaste, është në gjendje të japë masën e duhur të shpresës; heshtja apo ato ngjyra të afërta me heshtjen, që flasin për pritjen e ndenjën në errësirë... Të jetosh një dhunti opozitari në mënyrën kaq bujare, kaq të vërtetë e të paepur, bëhet e mundur vetëm te një njeri i aftë për të provuar brenda vetes fuqinë e kundërvënies. E panjohura, kundërshtari, janë të pranishëm në raport me gjuhën, në duelin e saj me poezinë.

“Në qendër të poezisë një kundërshtues të pret
Është sovrani yt. Lufto me ndershmëri ndaj tij. ”

“Rreziku qoftë drita jote”, thotë përsëri Char. Jemi në vendin ku rreziku përmbyset e tregon një pamje tjetër, që është fati; në të cilin, si rrjedhim, përgjigja duhet të marrë emrin e mikpritjes e sfida të shndërrohet në besim. Mundësia e poemës është edhe ajo një ngjarje, si të thuash, një prani e ardhur te ne nga fundi i së panjohurës. Kështu, vetë e panjohura është e pranishme në përgjigjen që poeti i jep së panjohurës:

“Si më vjen shkrimi? Si një pupël zogu mbi xhamin tim, në dimër, Përnjëherësh u ngrit në oxhak një beteje urësh zjarri, që tani ende nuk janë shuar. ”

Një deklaratë e një pasurie të habitshme, ku të kundërtat mbështeten ndërsjelltas: e jashtmja dhe e brendshmja, i ftohti i dimrit dhe ngrohtësia e oxhakut, butësia e puplës dhe dhuna e betejës. Në rendin kohor, antagonizmi është midis dukjes së çastit mbi xham dhe betejës pambarim, - rrokja e shkurtër e rrokja e gjatë...
Shari në përgjithësi konsiderohet një poet i energjisë së dhunshme dhe i konfliktit; por ruhet, shumë shpesh, që të shtojë se e gjithë kjo e bën të aftë të jetë një poet i dashurisë. Dhuna e butësia, që nuk e përjashtojnë njëra, tjetrën, duhet të bëhen aleatë për t’iu përgjigjur së panjohurës, kur kjo na del përpara me pamjen e mrekullueshme të fatit e të favorit. Fati bëhet i ditur te personat, te qeniet e gjalla, në fytyra: nuk është më një horizont asnjanës, është një qenie që ofrohet në veçantinë e tij mishtore: “Poema është gjithmonë e martuar me dikë.”

“Nuk është veçse i ngjashmi im, shoqja ose shoku im, që mund të më zgjojë nga topitja ime, për të nxitur poezinë, për të më hedhur kundër caqeve të shkretëtirës së vjetër, me qëllim që unë të triumfoj aty. Asnjë tjetër. As qiejt, as toka e privilegjuar, as gjërat për të cilat drithërohemi. Pishtar, unë nuk vallëzoj veç me atë. ”

Përgjigja atëherë është vëllazëria e dashuria, jo pa u pleksur, aty të paktën hija e një dhune. Lumturia e çiftit a nuk është ndoshta “një betejë e përsosur”? Meqenëse shoqja, e dashura, është gjithmonë e dërguar nga e panjohura: është fati i ardhur nga thellësia misterioze e botës; ndjell te ne vrullin e mirënjohjes, por nuk lejohet për ta kapur. “Të marrësh” kokën e dashuruar nuk mund të jetë tjetër, veçse “dëshirë komike”. Uniteti i dashurisë nuk realizohet në shkrirjen e të njëjtave, por në raportin asimetrik, ku dëshira i bën ballë pjesës së panjohur e mungesës, e cila, në fatin e ofruar, nuk rresht asnjëherë duke na u shmangur. Sado afër që të jetë me llojin e vet, me shokun e vet, poeti mbetet njeriu i “qëndrueshmërisë së njëanshme”. Intervali duhet ruajtur; duhet të kapësh fatin; fatkeqësinë e dashur me të gjitha përkujdesjet që i duhen një të ftuari të huaj. Nuk do të theksohet kurrë, aq sa duhet, se intensiteti i takimit te Shari është i lidhur me një distancë të palëvizshme. Prova manifestohet në mënyrë shumë të qartë në një poezi të shquar, “Festë në erë”; por që përtërihet në shumë tekste të tjera. Kështu, te “Pylli i Eptit”, shfaqja e papritur e “dy shkurre trëndafili të egër”, “të ardhura nga muri anësor i një gërmadhe shkaktuar dikur nga një zjarr”: Takimi është shenja e një zgjimi tronditës; por duke u kthyer “mbi hapin e një gjysmë rrotullimi mbrapa”, poeti i përshtatet kërkesës së poezisë.
Dy shkurre trëndafili të egër: të marrëdhënies reciproke mes poetit e botës, ja ku bota vetë i jep atij imazhin e dyfishtë: “shfaqet si një tregti qeniesh të zhdukura, gati për t’u manifestuar edhe një herë. Prania e dyfishtë bimore përsëritet në dukjen prekëse të një alegorie të spikatur, çifti që poeti formon me të panjohurën. “Letër dashurie”, poema për të dashurën munguese, mbyllet me imazhin e “dy zambakëve të verdhë në ujin e blertë të lumit Sorgue”. Te “Gjykim tetorit“, “në rrënimin e tyre të ngurosur dy të mjera”, dy trëndafila vjeshtakë ngrihen si emblema të ngulmimit në dashuri.

"Një natë, fund dite, gjithë rreziku, dy trëndafilat. Si flaka nën mbulesë, faqja pranë faqes e vret atë".

Në fakt, çifti i vërtetë nuk është ai i formuar nga trëndafili me motrën e tij shumë të ngjashme, por çifti që ai formon me të ftohtin vdekjeprurës dhe me natën e afërt. Kjo asimetri thelbësore del edhe më e qartë, nëse kalohet nga universi bimor në atë shtazor të mahnitshëm të Sharit. Kafsha nuk çiftohet me të ngjashmen e vet: Te “Vajtimi i hardhucës së dashuruar”, hardhuca është e dashuruar me gardalinën; dhe me pulëbardhën komunikon peshkaqeni, në ditën e “pafajësisë së re”. Një lidhje akoma më e ngushtë duket, kur kafsha e kërcënon dhe e vret atë. Sorrën e pret në shteg “një pushkë e dobët”; demi diellor ngordh, “i rrethuar nga errësirat që ulërijnë” nën shpatën e vrasësit të tij ritual; lauresha “zjarri i skajshëm i qiellit dhe afshi i parë i ditës”, vdes nëpërmjet pasqyrës që e magjeps; kafsha e shpellës Lasko humb të brendshmet pranë gjuetarit, që është ekspert në kapjen e saj. Në fund të fundit, është marrëdhënia e agonisë së dashurisë ajo që lidh qenien njerëzore me hapësirën që e rrethon atë, - hapësirë që i ofrohet vrullit, por e banuar nga rreziku. Almanaku shtazor i Char është simboli gumëzhitës i lirisë së zemrës dhe i rrezikut të saj thelbësor. Kafshët, që e tërheqin atë, janë krijesa që nuk njohin padron; jetojnë në intimitetin e pastër të elementëve – si, trofta në lumin e saj, kakëzogëza në tokë, ose ujqërit e zhdukur, me të cilët poeti ndjehet vëllazërisht i bashkuar. Të lirë, zemërgjerë, janë në të njëjtën kohë “të pakorruptueshëm” e të cenueshëm - të ekspozuar ndaj vdekjes si pasojë e vetë pavarësisë së tyre.

***
Që ky almanak kafshësh, kjo ullishte, këto kaçube trëndafilash janë të një pjese të Provansës; që pyjet, malet, fshatrat (emrat e të cilëve paraqiten shpesh në vetë titujt e poemave të Char) gjenden në hartë në afërsi të Isle mbi Sorgue, kjo sigurisht është një shenjë besnikërie ndaj vendlindjes, por, edhe një herë, do duhej të kuptoheshin këto lidhje të prekshme në perspektivën e bashkimit të të kundërtave. Edhe sepse, nga ana tjetër, asnjë poet nuk është më i lirë prej çdo vartësie, nuk është më i vendosur, për t’u ngritur në një të sotme pa të shkuar, pa të përtejme e pa fillesë. Mes këtyre lidhjeve dhe lirisë së madhe pa kufij, vendoset një dialog i zjarrtë: besnikëria e liria nënvizojnë ndryshimin e tyre për t’u fuqizuar në mënyrë të ndërsjellët, si “baza” dhe “maja”, si vendi në luginë dhe pjesa e sipërme e malit. Poeti është i këtij vendi, për të përballuar sa më mirë atë që nuk është nga asnjë vend. Nuk është i kësaj toke, i kësaj “lugine të mbyllur”, për të jetuar i ndarë, i palëvizshëm, por për të jetuar lëvizjen e kalimin.

“Të nisesh për udhë mbi dy këmbët e tua, e, deri në mbrëmje, t’i mëshosh asaj, ta njohësh, ta trajtosh mirë atë rrugë që, pavarësisht nga zhvendosja e saj e mbrapshtë, na tregon ne rrembat e saj të dëshirave të kënaqura dhe tokën e kryqëzuar prej zogjve.”

Toka e kryqëzuar nga fluturimet e zogjve, ecja në udhët e pandryshueshme, ose akoma: rrjedha e lumit. Janë të gjitha imazhe të përkryera, norma të ndjeshme që na mësojnë lidhjen midis së pandryshueshmes e lëvizjes, midis qenies që ka lëshuar rrënjë e rrjedhshmërisë. Poeti gjen te bota figurat e mëdha që pasqyrojnë fatin e tij prej burri të sfilitur e prej pajtuesi, të cilëve poema do të duhet t’u tregojë udhën përsëri. Deshifrimi i botës do t’i korrespondojë, në pjesën më të madhe, kuptimit të ngjashmërisë së poemës – kështu që, të thuash botë, të shqiptosh me zë të lartë poemën, dhe të thuash thelbin e poezisë (d.m.th. të lartësosh fjalën deri te poema e poemës), do të jetë një gjest i vetëm dhe unik.
Kështu, në një tekst të mëparshëm, neutralizimi i plepit do të thotë neutralizimi i vetë poetit: mënyrë e mrekullueshme për të përsëritur se: “në poezi banohet vetëm në vendin që braktiset, krijohet vetëm vepra nga e cila shkëputemi, fitohet vazhdimësia vetëm me shpërndarjen e kohës”. Të rilexojmë “Shuarja e plepit”, këtë tekst kaq lakonik e kaq të gjerë, ku përveç katër elementëve, shfaqen e vërteta dhe mashtrimi, dhuna e butësia, natyra dhe njeriu i bashkuar:


Uragani ua zhvesh stolitë pemëve.
Unë nanuris rrufenë me sy të butë.
Lere erën e madhe ku dridhem
Të puqet me tokën që i zë besë.

Flladi i saj mpreh rojën time.
Sa e turbulluar është zgavra
e gënjeshtrës së burimit me shtresa të ndragura!

Një çelës do jetë banesa ime,
Shtirja e një zjarri që zemra e vërteton;
Dhe ajri që e mbajti në kthetrat e tij.

Uragani është liria e tërbuar me fluksin e pashtershëm të erës e të zjarrit të rrufesë. Por pema që duron, në rritjen e saj kryeneçe, e shuan rrufenë, që quhet “rrufeja me sy të butë” , ëmbëlsia plekset me dhunën. Nëse dëgjojmë vendimin e pemës, furia e lëvizshme e uraganit do të bashkohet me tokën e palëvizshme. Pema i përket në të njëjtën kohë ajrit dhe tokës. Konflikti i elementeve i ushqen asaj pasion, por ajo është njëkohësisht të njëjtën kohë pajtuesi. Qëndron drejt e ankoruar në tokën e qëndrueshme, por dridhet në pushtetin e uraganit. Fërgëllima e saj tregon përkatësinë e dyfishtë. Sepse të dridhesh është një lëvizje statike, ku shprehet njëkohësisht bindja ndaj tokës e ndaj erës. Kështu, plepi është pjesëmarrës i lëvizjes endacake dhe qëndron i burgosur në vendin e tij. Në vertikalitetin e tij të paqëndrueshëm, me majën drejtuar në zemër të trazirës qiellore, plepi s’e pranon fatin e plogët të burimit: shenja e lartësisë së rizgjuar (“roja”) i kundërvihet imazhit të një origjine të turbullt përzier me humusin. (Figura e pemës e drejtë në ajrin e furishëm ka pika të përbashkëtat me figura të tjera të lirisë në kontakt me elementin antagonist: veçanërisht ajo e rremës në oqean.)
“Një çelës do jetë banesa ime.” Fjala e poemës bëhet këtu fjala e poetit. Sepse poeti është njeriu i hapjes, ai që refuzon të instalohet. “Një çelës do jetë banesa ime”: kjo fjalë mund të duket enigmatike; lakonizmi i Char arrin deri në simbol e në parim: fjala nuk lejon të deshifrohet menjëherë qëllimi i saj i veçantë dhe rëndësia e saj universale. Megjithatë, për të dalë në dritë, ajo kërkon vetëm durimin dhe mbështetjen e vështrimit tonë; dhe zbulohet se përcakton vendin e poezisë e që i bën thirrje, edhe një herë, bashkimit të të kundërtave. Shari na thotë me forcë se e vetmja banesë e poetit është instrumenti i kalimit, ai që bën të mundur kalimin e një shtegu. ”Gjeje shtëpinë tënde por mos lësho rrënjë aty”, thotë diku tjetër. Poema është ky çelës, - një çelës që na çliron, ne lexuesit, - ndërsa poeti i dorëzohet ndejës zgjuar. Tani, çelësi u farkëtua nga “një zjarr që zemra e vërteton”, dhe, nga ana tjetër, ai i përket edhe forcës supreme të erës (që e mbajti në darën e saj”). Si të thuash më mirë që poema, diçka e shtirur, send imagjinar, ka si garanci të së vërtetës së saj zjarrin e brendshëm të njeriut dhe mbretërinë e jashtme të erës? Që kështu, nën këtë ogur të dyfishte, fjala poetike nuk mund të na humbasë, sado larg të na çojë ajo prej vendbanimeve të zakonshme? Poema, çelës i hollë e i fortë, na dhuron një banesë më të gjerë nën qiellin e përbashkët; na bën të arrijmë në atë vatër të çastit, “ku bukuria, pasi u prit shumë prej nesh, lind nga gjërat e zakonshme, përshkon fushën tonë rrezatuese, lidh gjithçka që mund të lidhet, ndez gjithçka që duhet të ndriçohet në masën tonë të territ”.

Sunday, September 21, 2008

Pikëllimi i Nevons

Një hap vashe
Përkëdheli rrugicën,
Përshkoi kangjelen.

Në parkun e Nevons
Flenë karkalecat.
Bryma e bardhë e shtresat e breshrit
Përhapin vjeshtën.

Era vendos nëse
Gjethet do të rrinë për tokë
Më përpara se çerdhet.

(...)

Pjesa që ndajnë
Në testamentin e një të vdekuri,
ka thërmuar e shkatërruar
Lëndinën e pemët,
Përtacia e mpin hapsirën e vrenjtur
Të kopështit tim të Nevons.

Meqë duhet hequr dorë,
Nga ajo që s’ mund të buçasë,
Që shndërrohet në tjetër gjë
Kundër ose në anën e zemrës,
-Ta braktisësh atë çiltas,

Pastaj të dërrmosh shkorretet
Për të kërkuar pa e mbërritur
Atë që duhet të na shërojë
Nga sëmundjet tona të panjohura
Që mbartim kudo.

Fragment nga Fjala në arkipelag

________________
René Char nuk rreshti së lavdruari tokën e tij të lindjes, shtëpinë e Sorgue, ku do të rikthehet, gjatë gjithë jetës së tij, në realitet ashtu si në në shkrimet e tij ai do të ngushëllohet me freskinë e fëmijërisë së tij të Provansës.
Nevons - është shtëpia e familjes së tij. Poeti kujton dhimbjen e provuar gjatë ndarjes së trashëgimnisë, pas vdekjes së nënës së tij, që do të sjellë shitjen e shtëpisë.
Këngë bukolike dhe e mrekullueshme mbi humbjen e madhe, - nën titullin e origjinal, Për një violinë, një flaut e një jehonë. Kjo poezi nuk është futur e plotë në këtë vëllim.
I shtrenjti im Thouzon

Kur dhimbja e pat vendosur atë mbi çatinë e tij të lakmuar, një dituri e spikatur u shfaq tek ai pa mjegulla tymi. Ai nuk gjendej më në lirinë e tij ashtu si dy rrema në mes të oqeanit. Dëshira e ethshme që e robëronte për të folur, qe strukur me ujërat e errëta. Aty-këtu ngulmonin ca fërgëllima të rralla me anë të cilave ai gjurmonte llapashitjen e dobët. Një pëllumb graniti gjysmë me maskë maste me krahët e tij mbeturinat e hallakatura të veprës së madhe të gllabëruar. Mbi shpatet e lagët, gërsheti i shkumave dhe rrjedha e mjerë e formave të shpërndara. Në shekullin e rreptë që po shpalosej, do të hiqej privilegji për të korrur pa zeher. Të gjitha rrëketë e lira e maniake të fantazisë kishin mbaruar më në fund së hedhuri vickla. Në mbarim të jetës atij do t'i duhej t'i lëshohej ndërmarrjes së re, asaj që përpjekja vigane ia kishte miratuar në çdo feksje të ditës. Dita vorbullonte mbi Tuzon. Vdekja nuk ka, si urthi i dystuar, shpresën e dëborës. Në zgavrën e qytetit të përmbytur, briri i hënës nakatoste gjakun e fundit dhe llucën e parë.
_______________
Thouzon - është lokaliteti jo larg nga vendi i ReneChar, gërmadhat e të cilit flasin se i përkasin një qyteze në kodër, tashmë vendstrehimi është kështjella e Katarit, simboli i së cilës ishte pëllumbi.
Shuarja e plepit

Uragani ua zhvesh stolitë pemëve.
Unë nanuris rrufenë me sy të butë.
Lëre erën e madhe ku dridhem
Të puqet me tokën që i zë besë.

Flladi i saj mpreh rojën time.
Sa e turbulluar është zgavra
e gënjeshtrës së burimit me shtresa të ndragura!

Një çelës do jetë banesa ime,
Shtirja e një zjarri që zemra e vërteton;
Dhe ajri që e mbajti në kthetrat e tij.
_________________
Venasque

Kopeja e ngricave ju bën pirg,
Njerëz më gjaknxehtë se kaçuba;
Erërat e zgjatura të dimrit do ju varin.
Çatia prej guri është trekëmbëshi i një kishe që ka ngrirë në këmbë.
_______________
Paraardhësi

Kam njohur në një shkëmb vdekjen fluturake e të matshme,
krevatin e shpalosur të lakenjve të saj të vegjël poshtë vetmisë së fikut.
Asnjë shenjë grirëseje: çdo mëngjes i tokës hapte krahët e tij
në skajin e shkallëve të natës.
Mjafton me kaq, i lehtësuar nga frika e njerëzve,
unë gërmoj në ajër varrin tim e kthimin tim.
_________________

Tuesday, September 16, 2008

Udhëtim

Mbi rrugën që futet tutje
Një kalë s'ngrihet më.
Currili inatos një çift;
Pastaj bari i një dege të ulët
Bën një çati, e atë ia zgjat atij.
Nën lulen bojë karafili të shqopave
Nuk rënkon pikëllimi.
Skifterët, zogjtë grabitqarë, kunadhet, qentë e mive,
Dhe farandolat e përzishme
Mbeten në krahinat barbare.
Thekra cakton kufirin
Midis fierit e grackës.
Lëshoje një të shkuar të papërfillshme.
Çfarë duhet
Shkopi i pranverës në ballë,
Që reja të përgjumet
Pa i përpirë sytë tanë?
Çfarë i mungon
Lumturisë së të qenit e galopit të shuar,
Sëpata e futur midis të dyve?
Dërrmoje - varfanjakun! Ik që këtej, rob!
Djersitja e kasapëve
Ende hipnotizon Merindolin.
________________
Farandolat, lloj valleje franceze, ku valltarët e valltaret formojnë një zinxhir duke u mbajtur për dore.
Merindol, tjetër lokalitet mbi shpatin jugor të Luberon, i përfshirë nga masakra e 1545 dhe në epokën e mëvonshme, e vënë në pranga nga SS-të me zell e mizori sistematike të tilla, sa djersa e mundimit të tyre vrasës jeton sot e kësaj dite në kujtimin e të mbijetuarve.
Shtatë parcelat e Luberon

Të braktisur në tokë dëshpërimi,
Të kafshuar nga bulkthit e fëmijët,
Të rrëzuar nga diejt që plaken,
Frutat e ëmbël të Bremondes.

Mbi një peme të bukur pa tufa,
Fishkeni nga bashkësia,
Çaheni nga ndarja,
Rini, re e dendur flakëruese.

Mbytja jote s'ka lënë
Veç një timoni për zëmrën tonë,
Një shkëmbi zgavër për frikën tonë,
O Byu, barkë e keqpërdorur!

Si borigat që rriten,
Përmbi çdo përbetim,
Ju jeni kopja e erës,
Ditët e mia, digë zjarri.

Ishte pranë. Në vendin e lumtur.
Duke ngritur rënkimin e saj në hare,
Unë fërkoja vijën e ijëve të saj
Pas veshëve të degëve të tua,
Rozmarinë, shqopë e mbledhur.

Duroj, gur pas guri,
Shembjen e banesës sime.
Vetëm dinte përmasën e saktë
Besniku, i një mbrëmjeje, i vdekjes.

Dimri pëlqehej në Provansë
Nën vështrimin gri të Voduasve;
Turra e druve shkriu borën,
Uji rrëshqiti i valë në përrua.

Me një yll hidhërimi,
Të thash gjakun është shumë e ngadalë.
Vigan prej vajtimeve të mia, ti qeveris:
Unë s'kam ëndërruar kurrë për ty.
_________________
Luberon - vargmal midis luginave të lumit Coulon
Bremonde - fermë tashmë në gërmadha.
Byu, (Buoux), lokalitet mbi Luberon me pamje si një barkë timoni i së cilës, nga forma e tij, është si kambanore e kishës romane të St. Symphorien.
Nën vështrimin e hirtë të Voduasve (Vaudois, janë banorët e komunës Vaud); aluzion për masakrën e kryer, 1 shkurt 1543, me urdhër të Françeskut I.

Sunday, September 14, 2008

Ceremonia mërmëritëse
Rex fluminis Sorgiae

Si një kunguese e gjunjëzuar duke zgjatur llambadhen e saj, akrepi i bardhë ka ngritur ushtën e tij dhe ka goditur në vendin e duhur. Befasia i fal atij dinakërinë e filiqet. Bah! Rrjedha e ujërave të fryra do kalojë mbi këtë tablo naive. Lulekambanat, burbuqet e arta do të zhduken nga zemra e livadhit.
Mbreti i verrishtës po vdes.
________________
Rex fluminis Sorgiae”- mbreti i lumit Sorgue. Një komunitet prej afro treqind familje peshkatarësh e vendosi, përjetësisht, për të rregulluar të gjitha çështjet e vetë komunitetit, ruajtës i të drejtave të peshkimit gjatë bregut të lumit Sorgue, prej burimit deri të grykaja. (Emërimi i saktë figuron në një akt të 21 nëntorit 1485, ekzistues në bashkinë e Isle – sur – la Sorgue.) Ky detyrim, i njohur prej autoriteteve laike e kishtare, pat jetë të shkurtër, midis shekullit XV e XVI. Në ato kohë Sorgue mbahej si më me shumë peshq se çdo lumë tjetër. Kuptimi i jetëshkurtësisë dhe i të vdekshmes i bashkëlidhur me atë formë të veçantë të pushtetit mbretëror më vonë të shfuqizuar, rikujton për analogji mbretin e verrishtës te trillimet herderiane e gëtiane. - Johann Gottfried Herder, 1744-1803, shkrimtar gjerman. Teolog, filozof, poet e kritik. Ai ushtroi një influencë të madhe mbi letërsinë gjermane (formimi i Sturm und Drang, Stuhi e Sulm, një nga lëvizjet më të rëndësishme kulturore gjermane, 1765 - 1785) dhe mbi Gëten në veçanti.
verrishte, pyll me verra.
Vjetërsi

Tani që dukuritë mashtruese, pasqyrimet e stërpikura shumohen para syve, gjurmët tona të dikurshme bëhen vërtetësisht vendqëndrimet ku ne jemi gjunjëzuar për të pirë. Një kohë pafund s'kishim qarkulluar e therur veç për të kapur tiparet e një aventure të zakonshme. Ja tani në erën e egër shenjat tona jetëshkurtra gjejnë, nën humus, realitetin e këtyre vazhdave të pluhurosura që zgjojnë një pranverë mbas vetes.
_______________

Të marrët

Nga hija ku qëndronim, gishtërinj lidhur, pa ushqim, ne shquanim rruzullin e ngjyrosur prej frutave që ishin më shumë të aftë për të rrëshqitur jashtë gjetheve. Pjekja e tyre gëlonte nga trupi i pemëve, duke lavdëruar emrat që shfaqeshin me më shkëlqim. Prania jonë, e ngulur aty, largonte konkurrentët. Këto fruta, si të përçmuara do të zbritnin deri në kalbëzimin e tyre të fundit përballë dashurisë sonë të pacipë që ato nuk kishin ditur as mundur t’ia dilnin mbanë.
_______________
Nga hija ku ne qëndronim”. Kur thotë ”ne”, Char nuk e përdor shumësin për të treguar se po flet në emër të qenieve që janë përreth tij (fidanë, lule, kafshë) e për vetveten bashkë me to, si për një të tërë që formojnë së bashku, në atë çast e në vijimësinë e tyre jetësore. Në këtë rast, përkundrazi është fjala për çiftin burrë-grua (Adami-Eva), për degjenerimin progresiv të marrëdhënieve të tyre: mynxyra e çiftit modern.

Friday, September 12, 2008

Fqinjë të mirë

Ne kemi përsëritur krejt vetëm mësimin për fluturimin e prindërve tanë. Nxitimi i tyre për t’u larguar nga ne s’kishte shoq veçse ethen e tyre për t’u ndodhur sërish çift, për të ribërë dyshen arrogante që ata arrinin të formonin veçmas; asgjë veç atë. Braktisjen e fateve tona, e disfatës së tyre? Ata nisen, ne kuptuam se në vend që të na lëshonte drejt përpara, mësimi i tyre nxiste dobësinë tonë, mbahej në dy pika, përmbajtja e të cilave, nga një kohë në tjetrën, kishte ndryshuar. Arti që lind nga nevoja, në çastin kur nevoja mënjanohet, është një gjallesë që përkon midis malit e zogut.
_________________

Tuesday, September 9, 2008

Thjeshtësi e padurueshme

Krevati im është një lumë me plazhe të thatë.
Asnjë fier nuk kërkon të gjejë aty atdheun e vet.
Ku je zvarritur ti dashuri e ëmbël?

Unë jam larguar për shumë kohë. U riktheva për të shkuar.

Shumë larg. Një nga tre gurët e shtratit të kroit të tharë
thoshte këtë fjalë të vetme të skalitur për kalimtarin: “Mikeshë”.

Unë trillova një fjetje e piva vrullin e saj nën perandorinë
e verës.
__________________
Disa metafora lindin nga vëzhgimi dhe, më shumë nga praktika e përditshme;
këto kuptohen më mirë, ndriçojnë nga një dritë e papritur, nëse kemi parasysh njeriun në kontakt me tokën, me fushat, me fenomenet natyrore.
Char ruan prej tyre në shtëpi ndonjë relikt. Një shkëmb i parë prej tij me shkrimin: “Mikeshë”, do të thotë: ujë i pishëm, mund të pish i qetë. Ndonjëherë, zanafilla e poezive të R. Char mbetet e fshehtë, lexuesi duhet t’i rilexojë. Në disa tekste të tij ku mendimi, aforizma e meditimi, mbizotërojnë e vërshojnë në metapoetikën, shtohen proporcionalisht e në mënyrë të qartë edhe figuracionet, dora-dorës me mbushjen e fushëpamjes: sipas kohës, pulëbardha e peshkaqeni, huta e lauresha ose mali e zogu.
Ose: Thëngjijtë e fundit të qiellit e zjarri i parë i ditës; e mbërthyer në agim toka këndon e turbulluar, bronzi i lirë, padroni i frymës e i rrugës së saj. Magjepsës, vrasin duke mrekulluar.
Unaza e njëbrirëshit

Ai qe ndjerë i hedhur përtokë e vetmitar në skaj të yllësisë së tij
që në hapësirën e kalitur s’ishte veç një qytet i vocërr e i ftohtë.
Kush e kush ta pyeste: “E keni takuar atë më së fundi? Më së fundi jeni i lumtur?”
Ai nuk begenisi të përgjigjej dhe copëtoi një gjethe kulpre.
________________
Subjekti është marrë nga Orioni vepër dramatike e Ercole Luigi Morselli. Orioni (gjuetari), sipas mitologjisë greke, vigan i famshëm për bukurinë e zotësinë e tij në gjueti. Artemisa e shndërroi atë në yllësi. Në këtë rast është fjala për njëbrirëshin, kafshë përrallore, e pranishme te kafsharët e mesjetës, (gladiatorët që ndesheshin me kafshët), që mundi të joshej vetëm prej një virgjëreshe të vendosur në një pyll, e më pas i zënë rob. Këtu kemi të bëjmë me një ripunim të lirë të përrallës, ku ndjehet edhe prania e mahnitjes së serisë së qilimave me punime nga “Gjuetia e Likornit”, sot të ruajtura në Muzeun Metropolitan të Neë York-ut, e në veçanti nga “Likorni rob”; si edhe një zvetënim i mitit të vërtetë, të vetë Orionit, i cili i dashuruar me të gjitha motrat Plejadat, i ndoqi për pesë vjet rresht, derisa ato nuk qenë shndërruar ende në pëllumba e pastaj në yje, ashtu siç ishte dhe një gjurmues kokëmushkë bashkë me qenin e tij.
“Unaza” - është në të njëjtën kohë ylli, martesa dhe burgu.
Gjurmë në hon

Mbi plagën fantastike të Vaucluse ju kam parë të vuani.
Atje, megjithëse të poshtëruar, ju ishit një ujë i blertë, e madje një rrugë.
Përshkuat vdekjen në çorodinë e saj.
Lule të rrëpirëta të një misteri të vazhdueshëm.
________________
Vaucluse - vend i dallueshëm në burimin Vaucluse
(Fontaine de Vaucluse).
Vegimi i gjilpërave

Ata e marrin për qartësi të qeshurën hileqare të terrinave. Peshojnë me duart e tyre mbeturinat e vdekjes dhe thërrasin: "Kjo s'është për ne."
Asnjë furnizim i çmuar nuk zbukuron grykën e gjarpërinjve të tyre të shtendosur.
Motra e tyre i mashtron ata, fëmijët e tyre i vjedhin, miqtë i përqeshin. Ata nuk dallojnë asgjë nga keqdashja e terrinës. Diamanti i krijimit a hedh flakërime të pjerrëta? Sakaq një ngasje për ta zbuluar. Ata nuk fusin në furrën e tyre, nuk vendosin në brumin e zbutur të bukës veç një grimë pothuaj dëshpërim gruri të pastër. Ata janë vendosur e lulëzojnë në djepin e një deti, ku janë kthyer në pronarë të akujve. Ti je paralajmëruar.

Në ç'mënyrë, nxënësi i dobët, të ndryshojë të ardhmen e të mënjanojë këtë flakë
kaq me pikëpyetje, kaq të lëkundur, të rënë mbi vështrimin tënd moskuptues?
E tashmja s'është veçse një lojë ose një kasaphanë shigjetarësh. Qysh atëherë besnik i dashurisë së tij si qielli ndaj shkëmbit. Besnik, i dezinfektuar nga mikrobet, por pareshtur bredhacak, duke mbajtur të fshehur vrapin e tij përmes gjithë hapësirës të treguar nga zjarri, mbështetur nga era; hapësira, thesar i kasapit, e përgjakur në një çengel.
_____________________

Sunday, September 7, 2008

Te portat e ajrit

Kohë e lumtur. Çdo qytet ishte një familje e madhe që frika e bashkonte; kënga e duarve në punë dhe nata e gjallë e qiellit e ndriçonin. Poleni i shpirtit ruante anën e tij të dëbimit. Por e tashmja e pandërprerë, çasti i kaluar, nën lodhjen e fortë, i zhduknin parapetet. Ecje me pahir, kohë pas kohe. Fëmijë të rrahur, kashtë e praruar, burra të qelbur, të gjithë në rrotë! I pikëzuar nga bletë hekuri, trëndafili në lot ka çelur.

___________________
Kohë pas kohe (terme epars) - përfshin një mohim, një shpërndarje. "Terme epars", (kufi i papërcaktuar, i shpërndarë) është kondensimi i mesazheve, gjasave, nënkuptimeve të një tërësie, tërësi, që na ikën, na vidhet, por që e ndjejmë dhe e kërkojmë ta bëjmë tonën gjatë përvojës sonë; që na zbulohet, herë pas here, në mënyrë të ndërprerë, sipas rregullit të vetëtimës, por që priret drejt tërësores. Shenja dalluese, pra, këtu ka ndryshuar: nga shpërndarja te mënyra e ndërprerë aluzive (e tërthortë), te bollëku i një pranie të fshehur, që është kudo dhe kurdoherë, por që na zbulohet vetëm herë pas here, pra, me kufij të shpërndarë, si në kohë ashtu edhe në hapësirë, si një nxitje e thirrje. Për Char ëndrra, bota e ëndrrave nuk përmban rrënjën e realitetit, ngjitur, fqinj, të atij që ne e perceptojmë të gjallë. Vija e ndarjes, e paqartë, e pasigurt, që na vidhet e arratiset, ("terme epars") është "vendi" ku formohet poezia.

Duroj një dhimbje
Fragment nga "Poema e bërë pluhur"

Mos e lër kujdesin të qeverisë zemrën tënde me këto brishtësi të afërta me të vjeshtës, që i japin asaj ritmin e patrazuar dhe grahmën e butë. Syri është i gatshëm të rrudhoset. Vuajtja njeh pak fjalë. Parapëlqen të përkulë pa çmim: Ti do ëndërrosh për të nesërmen dhe ty krevati do të bëhet i lehtë. Ti do ëndërrosh që shtëpia jote nuk ka më dritare. Ti je i paduruar për t'u bashkuar me erën, me erën që përshkon një vit brenda një nate. Të tjerët do të këndojnë bashkimin harmonik, trupat që nuk mishërojnë më veç magjinë e orës me rërë. Ti do fajësosh mirënjohjen që përsëritet. Më vonë, ty do të identifikojnë me ndonjë vigan të shpërbërë, zot të së pamundurës.
Megjithatë
Ti nuk ke bërë veç ke shtuar peshën e natës. Je rikthyer te peshkimi i ndaluar, në vapën e egër pa verë. Ti tërbohesh ndaj pasionit tënd kur një miqësi turbullohet thellë. Ëndërron për një shtëpi të shkëlqyer që nuk do ta shikosh kurrë ta ngresh. Kur do të jetë fryti i greminës? Por ti ke shpuar sytë e luanit. Ti beson të shohësh të kalojë bukurinë sipër livandave të zeza... Çfarë të ka ngritur lart, edhe një herë akoma, pak më lart, pa të bindur? Nuk ka vend të dëlirë.
___________________
Bëre mirë që u largove, Arthur Rimbaud!

Tetëmbëdhjetë vjetët e tua kundërshtuese ndaj shoqërisë, ligësisë, gomarllëkut të poetëve të Parisit, ashtu si ndaj zukatjes së bletëve të familjes ardenase pak të çvidhosur, ti bëre mirë që i hallakate në erën e vrullshme, që i flake mbi thikën e gijotinës së tyre të paturpshme. Ti ke pasur të drejtë për të braktisur bulevardin e kërmijve, baret popullore të pisse-lyres, për ferrin tënd të shtazëve, për tregtinë e finokëve dhe tungjatjetën e njerëzve të thjeshtë.

Ky vrull absurd i trupit e i shpirtit, kjo gjyle topi që arrin shenjën e saj duke e copëtuar atë, po, është atje jeta e një njeriu! S'mundesh, në mbarim të fëmijërisë, përjetësisht të mbysësh gjitonin tënd. Nëse vullkanet ndryshojnë pak vendin, llava e tyre përshkon zbrazëtirën e madhe të botës dhe i shpie asaj virtytet që këndojnë në plagët e saj.

Fragment nga, "Egërsi e mister".
______________________
Familja ardenase, është në Francë qarku i Ardennes, mbi lumin Mëz (la Meuse), që përshkon Francën, Belgjikën, Hollandën (950 km). Në këtë qark ndodhet lokaliteti i Charleville-Mézières, pikërisht vendlindja e Rembosë. Vendndodhja e familjes Rembo.

Friday, September 5, 2008

Rodin

Këta këmbësorë unë i kam shoqëruar gjatë. Ata më paraprinin ose lakadridheshin, duke belbëzuar e duke u lëkundur në sajë të një shakulline që i mbante orë e çast në shenjë. Ata, pak kishin dëshirë të arrinin në port e në det, për t’iu nënshtruar trillit të egër të armikut. Sot lira me gjashtë korda e dëshpërimit, që këta burra formonin, ka nisur të këndojë në kopshtin mbushur me mjegull. S’ishte e pamundur që Ëstaku, besniku, fantastiku, ta ketë paraparë rrjedhën e tij të vërtetë, e cila nuk mendohej në çastin e llahtarës, por në murmurimën e mbytur brenda një trupi të palëkundur.
___________________
Teksti i referohet “Qytetarët e Calais”, grup skulpturor i përfunduar nga Auguste Rodin në 1886 nën kujdesin e bashkisë. Rodin frymëzohet mbi të gjitha nga faqet e kronikës së famshme të Jean Froissart, që rrëfejnë një episod të famshëm të Luftës së Viteve Njëqind. Ushtria e mbretit të Anglisë Edoardo lll, mbajti të rrethuar qytetin e Calais. Ky iu kthye përsëri urisë pa asnjë shpresë ndihme nga jashtë. Në këmbim të paprekshmërisë e të lirisë së banorëve, të detyruar të dorëzoheshin, Eduardi i lll, kërkoi që gjashtë persona të shquar të Calais t’i paraqiteshin atij kokëjashtë, të zbathur, me një litar në qafë, për t’i dorëzuar çelësat e qytetit e të kështjellës. I pari e pranoi sakrificën qytetari më i pasur, Eustache de Saint-Pierre. Pesë të rangut të tij iu bashkuan atij, e të gjithë bashkë morën për në vijat armike, të vetëdijshëm për fatin që i priste: kokëprerja e menjëhershme. Ky ishte në fakt vendimi i mbretit anglez, në kundërshtim me ndërhyrjet e shpurës së tij e të vetë mbretëreshës. Në fund, lutjet e të qarat e bashkëshortes, që priste një fëmijë, thyen vrazhdësinë e Edoardo lll.

Ky episod është marrë nga disa variante, që e forcojnë efektin dramatik. Në një nga punët teatrale më të shquara të Georg Kaiser, Die Bürger von Calais (qytetarët e Calais, 1917), dhe në disa faqe të studimit mbi Rodin, që ka bërë Rainer Maria Rilke. Kopshti i përmendur në tekst është ai i Muzeut Rodin të Parisit.
Gjumë në Lyperkalet

Të neveritur nga dita, të fshirë nga vështrimi ynë që ishte mundësia e tyre frytdhënëse, të ndaluarit e famshëm vinin me nxitim një nga një, pastaj me shumicë, si bankat tregtare të falimentuara në vendin e largët, që do riktheheshin në jetë duke kaluar marramenthi nga streha e tyre në tonën.
Ne mjaftoheshim, në shkëndijën e zjarrit të mesditës, të ndërtonim, të vuanim, të ndanim së bashku, të dëgjonim të regëtinte revoltën tonë, ne tani do të duronim, por durim në lebeti, duke u shkrirë me festën e duke besuar një kohë të gjatë suksesin e këtij rebelimi, pa marrë parasysh shuarjen e tij të menjëhershme.
Shkëlqimet e rinisë sonë, shkëlqime të ngjashme me të hardhucave vezulluese të nxjerra nga gjumi i tyre i zgavrave dredha-dredha; që prej asaj kohe të paduruara të arrinin udhëtarin kryesor të cilit ata i mbeteshin solidar.
__________________
Gjumë në Lyperkalet- Lyperkalet janë festat që bëheshin në Romën e lashtë, për nder të perëndisë Lupercus. Festa flijimi e spastrimi, më shumë të përgjakshme e të pasura. Të kujtojnë Saturnalet, festa më të harbuara gjatë të cilave skllevërit gëzonin më shumë liri, të përkohshme e të rrezikshme.
Dehje

Ndërsa koha e të korrave përfundonte së gdhenduri mbi bakrin e diellit, një laureshë këndonte në plasën e erës së fortë rininë e saj që merrte fund. Agimi vjeshtor i zbukuruar nga qelqet e tij të copëtuara prej të shtënave, edhe mbas tre muajve ushtonte.
________________
Tejzgjatje

Për çfarë vuan ti? Sikur të zgjohej në shtëpinë pa zhurmë ndikimi i një fytyre që një pasqyrë therëse arrinte ta mpikste. Sikur ti të çoje drejt grykës së tendosur tryezën antike me frutat e veta, kur llamba e sipërme e flakërimi i saj binin mbi një pjatë të errët. Sikur të ktheje përsëri në jetë ikjet në avullin e mëngjesit, në takim të rebelimit aq të shtrenjtë, ai që, më mirë se çdo shpirtmirësi, ka ditur të lehtësojë e të edukojë. Sikur të ndëshkoje, ndërsa e dashura jote fle, portën e lartë e rrugën që të çon aty.
Për çfarë vuan ti?
Për jorealen e pacënuar brenda reales së rrënuar. Për kthesat e saj të kuturisura rrethuar me thirrje e gjak. Për atë që ishte zgjedhur e nuk qe prekur, për bregun e kërcimit në tokën e fituar, për të tashmen moskokëçarëse që zhduket. Për një yll që i çmendur është afruar e që do të vdesë përpara meje.
________________
“Tejzgjatje” - zgjatje e një fenomeni (ndriçues, magnetik, etj.) pas zhdukjes së shkakut që e ka provokuar atë. Karakteristika e disa ndjesive për të mbijetuar mbasi ngacmimi është zhdukur. Tejzgjatje e imazheve pamore.


Thursday, September 4, 2008

Shërbyesja

Ti je dhe një herë akoma qiriu ku rrëzohen terrinat përreth një kryengritësi të ri. Ti, mbi të cilën ngrihet një kamxhik, që tërbohet në kthjelltësinë tënde që qan.
_______________

Uri e kuqe


Ti ishe e marrë.

Sa e largët është kjo!

Ti vdiqe, me gishtin para gojës.
Në një lëvizje fisnike,
Për ta prerë shkurt shfrimin;
Në diellin e ftohtë të një ndarjeje të blertë.

Ti ishe aq e bukur sa askush s’e vuri re vdekjen tënde.
Më vonë, ishte natë, ti nisesh për rrugë me mua.

Lakuriqësi pa mosbesim,
Gjinj të fikur nga zemra jote.

I patrazuar në këtë botë të rastit,
Njëri që të pat shtrënguar në krahët e tij,
u ndal në tavolinë.

Qofsh mirë, ti nuk je.
_______________
Përkujtimi i një motre të René Char, Julia. Por, në të njëjtë kohë ka ndodhur dhe zhgënjimi për fundin e Rezistencës.
As i përjetshëm as i përkohshëm

O grurë i blertë në një tokë që nuk ka djersitur ende, që veç ka fërgëlluar nga të ftohtit! Në distancën fatbardhë nga diejt e ngutur prej qëllimeve të jetës. Rrafsh me tokën nën natën e gjatë. E vaditur nga uji me nuancën e tij të shkëlqyeshme. Për roje e për ushqime dy kama te kryet: laureshën, zogun që rri, korbin, shpirtin që ngulitet.
__________________
Shtresa ngjyrë okër

Nëpër një tokë kafe e pjerrësish të kuqërreme ne dilnim në rrugë. Timoni i dashurisë nuk na kapërcente, nuk dilte më fitimtar mbi ne. Ti hape dorën tënde e më tregove aty vizat. Por nata shtohej atje. Unë lëshova xixëllonjën e imët mbi vijën e jetës. Vite rrëzimesh ndriçuan papritur nën këtë llambë të gjallë e të vyshkur nga ne.
_________________
Streha e ashpër

Gjithmonë e kam dashur mbi një rruginë dheu, afrinë e një currili uji të rënë nga qielli që shkon e vjen duke gjurmuar i vetëm vetveten, drojën e ëmbël të barit të mesit që ndal një pirg guriçkash, ashtu si një disfatë e vrazhdë i jep fund mendimit.
_______________
Ngadalësia e së ardhmes

Mbi sa e sa dogma e akull duhet të kacavirresh për të gëzuar fatbardhësinë e që të zgjohet kuqërrimi mbi gurin e krevatit.

Midis atyre e meje ishte prej shumë kohësh si një gardh me shkurre, ku na lejohej të mblidhnim murriza të lulëzuar e t’i dhuronim ata. Asnjëherë më larg se dora e krahu. Ata më donin e unë i doja ata. Kjo pengesë për erën, ku rrëzohej gjithë forca ime, cila ishte? Një bilbil ma zbuloi atë, e pastaj një kërmë.

Vdekja në jetë është e papërputhshme, është e neveritshme;
vdekja me vdekjen është e arritshme, s’është asgjë, një bark frikacak zvarritet aty pa fërgëlluar.

Unë përmbysa murin e fundit, atë që rrethonte endacakët e borërave,
dhe shikoj - o prindërit e mi të parë - pranverë e shandanëve.

Forma jonë tokësore s’është veçse dy të tretat e një gjuetie të pandërprerë, një pikë, e përpjeta.
________________

Tuesday, September 2, 2008

Gjykimi i tetorit

Faqe më faqe dy të mjera në rrënimin e tyre të ngurosur;
Ngrica e era s’i kanë stërvitur aspak ato, i kanë harruar;
Fëmijë të mjedisit memec.
Të rëna nga stinët kapërcyese e të rrasura aty në këmbë.
Kurrfarë buzësh për t’i zhvendosur ato, ora vërtitet.
S’do të ketë as përdhunim, as mllef.
E kush ecën kalon pa një shikim ndaj tyre, ndaj nesh.
Dy trëndafila të biruar thellë nga një unazë
Vënë pak guxim në habinë e tyre.
Humb jeta nga tjetër gjë veçse nga gjembat?
Edhe nga lulja, ditët e gjata e kanë ditur këtë!
Edhe dielli ka pushuar së qeni ai i fillimit.
Një natë, fund dite, gjithë rreziku, dy trëndafilat,
Si flaka nën mbulesë, faqja pranë faqes e vret atë._
_________________

Thursday, August 28, 2008


Balada e fikut

Aq ngriu sa degët ngjyrë qumështi
Penguan sharrën, u thyen mbi duar.
Pranvera nuk i pa të blerojnë hijeshitë.

Fiku i kërkoi zotit të rrëzimit
Shkurrajën e një feje të re,
Por harabeli krah verdhë, profeti i tij,
Mëngjesin e nxehtë të kthimit,
Duke qëndruar mbi fatkeqësi,
Në vend të urisë mbaroi nga dashuria.
___________________
Përputhja e të larmishmeve.

Ai njeri ishte bujar jo sepse donte të dukej bujar në pasqyrën e tij. Ai ishte bujar sepse vinte nga Plejadat e se urrehej.
E njëjta hije shkapërdare, me falangat e gishtërinjve të ngritur, na u ngjit atij dhe mua. Një diell që s’ishte fare për ne u arratis si një baba në faj ose i keqshpërblyer.
_____________
“Vinte nga plejadat”- flitet për Paull Eluard, mikun e madh të R. Char.
“Me falangat e gishtërinjve të ngritur”- shenjë shkapërderdhje, prishje pa hesap, ishte një nga shenjat e tij karakteristike.


Yvonne
Etja mikpritëse


Kush e dëgjoi atë ndonjëherë të ankohet?

Askush tjetër veç asaj s’do kishte mundur t’i pinte pa vdekur
të dyzet lodhjet,
Të presësh ku e ku më përpara ata që do të vinin më pas;
Sa ngrihej deri sa binte lëvizja e saj qe burrërore.

Kush ka gërmuar pusin dhe ka ngritur përpjetë ujin e shtrirë
Rrezikon zemrën e tij me hapjen e duarve të veta.
________________
Yvonne Zervos - kujtimit të saj, aktivitetit të saj të palodhur frymëzues e veprues në dobi të artit. Vetëmohimit e bujarisë së saj, “etja mikpritëse”, “dyzet lodhjet”. I dedikohet një Homazh me përmbajtje dëshmish të ndryshme nga artistë e miq._Munguese në janar 1970, ndërsa bëhej gati të plotësonte ekspozitën, të ideuar e parapërgatitur prej saj, të punëve të Pablo Picasso të viteve 1969 - 70, pastaj të përmbushur në maj - tetor po të vitit 1970 në Pallatin e Papëve të Avignon.

Nudo e humbur

Do të marrin degëza ata qëndrueshmëria e të cilëve di ta përdorë natën me nyje që i paraprin dhe pason vetëtimën. Fjala e tyre e kap ekzistencën e frytit të herëpashershëm i cili, duke u ndarë në llokma, e përhap atë. Ata janë fëmijët incestual të pjesës së prerë e të nënshkrimit, që e çuan në skaje rrethin e lulëzuar të poçes së grumbullimit. Egërsia e erërave i mban ende të zhveshur ata. Përballë tyre fluturon një push i natës së errët.
___________________
I thur lavdi Giacometti

Në këtë fund mbasdite të prillit 1964, shqiponja e vjetër despote, kovaçi i gjunjëzuar, nën renë flakëruese të fyerjeve të tij (punën e tij, d.m.th. vetveten ai s’pushoi së fshikulluari me fyerje ), me zbuloi mu mbi shtrojën e studios së tij, dukja e Karolinës, modelja e tij, fytyrën e pikturuar mbi pëlhurën e Karolinës - pas shumë çjerrjesh, plagësh, blanash? - fryt pasioni midis gjithë objekteve të dashurisë, fitimtar i gjigantizmit të shtirë të eshtrave të mbledhura të vdekjes, dhe gjithashtu i copëzave ndriçuese të sapondara, nga ne të tjerët, dëshmitë e tij kalimtare. Përtej folesë së tij të dëshirës dhe mizorisë. Ai reflektonte këtë fytyrë të bukur, pa të dikurshmen që do të vriste gjumin, në pasqyrën e pamjes sonë, tejçues kalimtar i përbotshëm për gjithë sytë e ardhshëm.
___________________
Alberto Giacomettii, 1901­-1966”, skulptor e piktor zviceran. Në Francë, qysh prej vitit 1921, ai qe një kohë surrealist. Personazhet e tij prej bronzi janë fijezorë dhe të shqetësuar.
“Tejçues kalimtar i përbotshëm”- thuhet për atë që, nga përkatësia e veçantë e grupit të gjakut, mund të marrë dhe sipas radhës t’u japë gjak e individëve të grupeve të tjera.
Veriu

Unë kam shëtitur në bregun e Çmendurisë
Kërkesave të zemrës sime,

Nëse ajo s’i deklaronte,
Shoqja ime u dorëzohej,
Kaq krijuese është mungesa.
E sytë e saj në zbaticë si Nili vjollcë,
Dukeshin se numëronin pafund pengjet e tyre duke u zgjatur
Teposhtë guralecëve të freskët.
Çmenduria kreshpëronte xunkthet e gjata me majë.

Diku ky lumë jetonte jetën e tij të dyfishtë.
Ari mizor i emrit të tij befas pushtues
Vinte t’i dorëzonte betejën fatit armiqësor.
___________________
Titulli i referohet një rregulli yjor dhe jo një rregulli gjeografik. “bregu i çmendurisë”- Çmenduria është emri i një lumi, që e ka prejardhjen nga rryma e tij gjarpëruese, e paqëndrueshme, e çuditshme.

Monday, August 25, 2008

Tarafi i memecit

Gurët shtrëngonin njëri-tjetrin në bedenat e kalasë e njerëzit ushqeheshin me myshkun e gurëve. Nata e thellë mbarte pushkë e gratë nuk lindnin më. Poshtërimi kishte pamjen e një gote uji.
Unë jam bashkuar me guximin e disa njerëzve, kam jetuar dhunshëm, pa u plakur, misteri im midis tyre, kam fërgëlluar nga jeta e gjithë të tjerëve, si një barkë e papërmbajtur përmbi thellësitë e ndara
.
______________
“Tarafi i memecit”- është rifillimi i një motivi: kushtet njerëzore në kohën e Rezistencës, për të cilën Char ka dëshmuar para së gjithash te “Gjethe hipnoze”.
“mbarte pushkë”, djemtë mobilizoheshin ushtarë.
“gotë uji” aludim për Vichy, stacioni i ujërave termale e vendi i qeverisë kolaboracioniste të Philippe Pétain.

Afërinat e Alsasës

Të kam treguar Gurin e Vogël, prikën e pyllit të tij,
qiellin që lind mbi degë,
Bollëkun e zogjve të tij gjuetarë zogjsh të tjerë,
Polenin dy herë të gjallë nën flakën e luleve,
Një kullë që e kanë ngritur tutje si pëlhura e anijes pirate,
Liqenin të ribërë djepi i mullirit,
gjumi i një fëmije.

Atje ku më la pa frymë rripi im i borës,
Nën çatinë e një shkëmbi laragan nga korbat,
Braktisa nevojat e dimrit.
Ne duhemi sot pa të përtejme e pa prejardhje.
Të zjarrtë a të shuar, të ndryshëm por bashkë,
Duke u mënjanuar nga yjet me natyrën për të fluturuar
pa arritur gjëkundi.

Anija merr rrugën drejt majës së detit bimor.
Zjarrefikur na merr në bordin e saj.
Ne qemë ngritur që para agimit në kujtesën e saj.
Ajo strehoi fëmijërinë tonë, stolisi moshën tonë të artë,
E ftuar, bujtinë shtegtuese, gjersa ne besojmë në të vërtetën saj.
__________________
­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­“Guri i Vogël”- është një fshat i vogël afro 50 kilometra nga Reno. I mobilizuar në fillim të Luftës së Dytë botërore, R. Char, e pat njohur këtë vend në vjeshtën e 1939.
Vallëzojmë në Baronitë

Me fustan ulliri
E dashuruara
Kishte thënë:
Besoni në besnikërinë time shumë fëmijërore
E pastaj,
një luginë e hapur
një brinjë që shkëlqen
një shteg afrie
kanë pushtuar qytetin
ku dhimbja e lirë rri poshtë dëshirës së zjarrtë të ujit.
________________
Baronitë - qytete të vogla të shpërndara, që një kohë formonin ndoshta një Baroni, prej nga kanë marrë emrin. Një shesh i vogël me shatërvanë me lajtore publike: Në atë kohë vend vallesh festive.
Luftëtarët

Në qiellin e njerëzve, buka e yjeve m’u duk e zymtë e thekur, por në duart e tyre të ngushta unë lexova dyluftimin e këtyre yjeve duke ftuar të tjerët; emigrues të urës akoma ëndërruese. Unë mblodha prej tyre djersën e praruar, e për mua toka pushoi së vdekuri.
________________
Dyluftimi - përdoret në kuptimin më të vjetër të ndeshjeve kalorësiake
.
Fundi i madhështive

I këndellur nga mirësia e një fryti dimëror, futa zjarrin në shtëpi. Qytetërimi i shtrëngatave pikonte në strehën e çatisë. Unë do mund me nge të urrej traditën, të ëndërroj për brymën e kalimtarëve mbi shtigjet pak grindavece. Por kujt t’ia besosh fëmijët e mi të palindur kurrë. Vetmia ishte e zhveshur prej aromave të saj, flaka e bardhë humbiste duke mos lëshuar nga ngrohtësia veç gjestin e vdekur.
Pa madhështi kapërceva këtë botë të murosur. Do ta doja pa pallto atë që dridhej nën mua.
___________________
Mëngjarashi

Nuk na qetëson asgjë kur ecim duke mbajtur një dorë, lulnajën e rrezikshme të mishit të një dore. Errësimin e dorës që na shtyn e na heq zvarrë, të pafajshëm gjithashtu, dorën erëmirë ku ne shtohemi e ruajmë burimet, që s’na largon përroskën e gjembin, zjarrin e parakohshëm, rrethimin i njerëzve, këtë dorë të dashur mbi çdo gjë, që na heq dyfishimin e hijes në ditën e muzgut. Në ditën që shkëlqen përmbi muzgun, pragu i trazuar i grahmës së saj.
­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­__________________
Mëngjarashi”- Sipas marrëveshjes së vjetër, por jo gjithmonë e kudo, dora e majtë do të ishte dora e zemrës.

Perëndimi prapa vetvetes së humbur

Perëndimi prapa vetvetes së humbur, supozuar i gllabëruar, i pacënuar për hiç, jashtë kujtesës, shkulet nga shtroja e tij vezake, ngjitet pa regëtima, më në fund ngrihet dhe arrin vendin e takimit. Njolla shkrin. Burimet derdhen. E përpjeta e rrjedhës buçet. Dhe poshtë delta bleron. Kënga e kufijve shtrihet deri në pikëvrojtimin e luginës. Pak i kënaqur është poleni i verrishtave.
________________

Pijanecija

Përse t’i lëshojmë akoma bisedat për të ardhmen e vetvetes tani që çdo fjalë drejt majës është gojë raketash ulëritëse, që zemra e atij që dihat është ujëvarë kutërbimi?
Për të thirrur ty me një gulçimë: ”Nga vjen ti pijanece, motër me thonj të djegur? Dhe cilin kënaqe? Ti nuk ishe kurrë në shtëpinë midis kallëzave të tua. Kosa ime betohet për këtë. Unë s’do të kallëzoj, unë do të paraprij."
__________________

Zotërimet e jashtme

Midis gjithë asaj që shkruhet larg nga vëmendja jonë, pafundësia e qiellit, me sfidat e tij, rrokullisjet e tij, fjalët e panumërta, s’është veç një frazë pak më e gjatë, pak më ulëritëse se të tjerat.
Ne e lexuam atë rrugës, me fragmente, me sy të lodhur ose të sapolulëzuar dhe i dhamë kuptimit të saj atë që na u duk në mëdyshje dhe e varur nga vetë orientimi ynë. Kështu ne e gjejmë natën të ndryshme, jashtë mishit të saj e tonit, më së fundi në mënyrë solidare të përgjumur e rrezatuese të ëndrrave tona. Këto vijnë vërdallë, hallakaten pa e provuar prangosjen. Nuk pushojnë kurrë së qeni kështu.
____________________

Mbi të njëjtin bosht
I
Saktësia e Zhorzh dë La Tur

Kushti i vetëm për të mos rënë në vetminë e paanë ishte të hyje në rrethin e qiriut, të mbeteshe aty, duke mos iu dorëzuar ngasjes për të zëvendësuar errësirat me ditën dhe vetëtimat e tyre të vazhdueshme me një fund të paqëndrueshëm.

*
Ai hap sytë. Është ditë, thonë. Zhorzh dë La Tur e di se karroja e dorës e të mallkuarve është kudo në rrugë me ngarkesën e saj të dhelpërisë. Mjeti u përmbys. Piktori bën inventarin. Asgjë nga ajo që për së tepërmi i shkon për shtat natës dhe dhjamit të ndritshëm, i cili ngazëllen familjen, nuk duket e pleksur. Mashtruesi, mes dredhisë e çiltërsisë, me dorën pas shpine, nxjerr nga brezi i tij një as karo; qelepirxhinjtë muzikantë kacafyten. Shuma që luhet s’ia vlen më fare ndaj thikës që pas pak do të godasë; falli nuk është vjedhja e parë e një arixheshke të re dinake; sazexhiu i vielës, sifilitik, i verbër, qafën njollosur me stërkunguj, këndon një vaje të mistershme. Është ditë, hidrauliku i përkryer i sëmundjeve tona. Zhorzh dë La Tur këtu nuk gabohet.

II
Gërmadha e Albionit

Sa shpues të lëvores tokësore bujare të Albionit e masin atë mirë: ne luftojmë për një vendqëndrim ku dëbora nuk është vetëm ujkonja e dimrit, por gjithashtu dhe verrishta e pranverës. Dielli aty lind mbi gjakun tonë kërkues dhe njeriu nuk është kurrë në burg tek shtëpia e të përngjashmit të tij. Në sytë tona ky vend e vlen më shumë se buka jonë, sepse ai nuk mund të zëvendësohet prej saj.
________________
Georges de la Tour lindi në 14 mars 1593, vdiq në 30 janar 1652, është një piktor nga Lorena. Artist në kryqëzimin e kulturave skandinave, italiane e franceze, bashkëkohës i Jacques Callot dhe i vëllezërve Le Nain. La Tur është një vëzhgues depërtues i realitetit të përditshëm. Me prirjen e tij ndaj natyralizmit dhe kujdesin që i kushton lojës së hijes e dritës, ai është një nga vazhduesit më origjinalë të Karavazhizmit (rrymë në pikture dalë nga piktura e Caravage, piktor italian, 1571 ­ 1610, realizmi i veprave të të cilit ushtron një influencë të madhe në pikturën evropiane). Georges de la Tour është heroi më misterioz në historinë e artit. Piktor i suksesshëm nën Luigjin e XIII, ra në harresë për të rilindur në shek. e XX.
René Char ka zbuluar veprën e de La Tur në ekspozitën “Piktorët e Realizmit në Francë në shek. e XVII”, organizuar në muzeun e Portokallishtes nga nëntori 1934 deri në shkurt 1935. Është hera e parë që publiku shihte bashkë trembëdhjetë nga pesëmbëdhjetë tablo të atribuara artistit dhe kjo ishte një zbulim.
Hileqari në as karo, Kacafytja e muzikantëve, Fallxhorja, Sazexhiu i vielës (vegël e vjetër muzikore), janë katër vepra të Zhorzh dë La Tur të cilave R. Char u referohet këtu. - Mbi kundërshtinë, mbi bashkëjetesën e një piktori, “të ditës” dhe një piktori “të natës” (dy kohë, dy mënyra e bile dy të folura), mbështetet skema e ndryshimit elementar në tërësinë e artit të Georges de la Tour.
“Rrethi i qiriut”- është fjala për atmosferën që jepet në një nga tablotë e Georges de la Tour, titulluar “Fryrësi i llambës” (1593-1652)., të cilën Char e merr për subjekt te "Në të njëjtin bosht". Kjo tabllo e Georges de la Tour, me nënshkrim e tij, është e pranuar njëzëri nga specialistët, të cilët e vendosin atë rreth vitit 1640. Tema është e një thjeshtësie skajore dhe e një force të rrallë. Duke dalë nga errësira, fëmija, që i fryn një druri për të ndezur një llambë vajguri, s’ndriçohet veçse prej një dritëze druri të përflakur. Dritë-errësira e krijuar kështu, thekson shformimin e fytyrës të portretizuar më shumë realizëm.
II – “Gërmadha e Albionit”. Kundër projektit të vendosjes së një baze raketash mbi pllajën e Albionit (Vauclusez). R. Char hartoi një testament shumë polemik, që pati përkrahjen e Barthes, Rostand, Sartre e të tjerëve : ”Provansa Pikë Omega”.