Monday, August 25, 2008

Mbi të njëjtin bosht
I
Saktësia e Zhorzh dë La Tur

Kushti i vetëm për të mos rënë në vetminë e paanë ishte të hyje në rrethin e qiriut, të mbeteshe aty, duke mos iu dorëzuar ngasjes për të zëvendësuar errësirat me ditën dhe vetëtimat e tyre të vazhdueshme me një fund të paqëndrueshëm.

*
Ai hap sytë. Është ditë, thonë. Zhorzh dë La Tur e di se karroja e dorës e të mallkuarve është kudo në rrugë me ngarkesën e saj të dhelpërisë. Mjeti u përmbys. Piktori bën inventarin. Asgjë nga ajo që për së tepërmi i shkon për shtat natës dhe dhjamit të ndritshëm, i cili ngazëllen familjen, nuk duket e pleksur. Mashtruesi, mes dredhisë e çiltërsisë, me dorën pas shpine, nxjerr nga brezi i tij një as karo; qelepirxhinjtë muzikantë kacafyten. Shuma që luhet s’ia vlen më fare ndaj thikës që pas pak do të godasë; falli nuk është vjedhja e parë e një arixheshke të re dinake; sazexhiu i vielës, sifilitik, i verbër, qafën njollosur me stërkunguj, këndon një vaje të mistershme. Është ditë, hidrauliku i përkryer i sëmundjeve tona. Zhorzh dë La Tur këtu nuk gabohet.

II
Gërmadha e Albionit

Sa shpues të lëvores tokësore bujare të Albionit e masin atë mirë: ne luftojmë për një vendqëndrim ku dëbora nuk është vetëm ujkonja e dimrit, por gjithashtu dhe verrishta e pranverës. Dielli aty lind mbi gjakun tonë kërkues dhe njeriu nuk është kurrë në burg tek shtëpia e të përngjashmit të tij. Në sytë tona ky vend e vlen më shumë se buka jonë, sepse ai nuk mund të zëvendësohet prej saj.
________________
Georges de la Tour lindi në 14 mars 1593, vdiq në 30 janar 1652, është një piktor nga Lorena. Artist në kryqëzimin e kulturave skandinave, italiane e franceze, bashkëkohës i Jacques Callot dhe i vëllezërve Le Nain. La Tur është një vëzhgues depërtues i realitetit të përditshëm. Me prirjen e tij ndaj natyralizmit dhe kujdesin që i kushton lojës së hijes e dritës, ai është një nga vazhduesit më origjinalë të Karavazhizmit (rrymë në pikture dalë nga piktura e Caravage, piktor italian, 1571 ­ 1610, realizmi i veprave të të cilit ushtron një influencë të madhe në pikturën evropiane). Georges de la Tour është heroi më misterioz në historinë e artit. Piktor i suksesshëm nën Luigjin e XIII, ra në harresë për të rilindur në shek. e XX.
René Char ka zbuluar veprën e de La Tur në ekspozitën “Piktorët e Realizmit në Francë në shek. e XVII”, organizuar në muzeun e Portokallishtes nga nëntori 1934 deri në shkurt 1935. Është hera e parë që publiku shihte bashkë trembëdhjetë nga pesëmbëdhjetë tablo të atribuara artistit dhe kjo ishte një zbulim.
Hileqari në as karo, Kacafytja e muzikantëve, Fallxhorja, Sazexhiu i vielës (vegël e vjetër muzikore), janë katër vepra të Zhorzh dë La Tur të cilave R. Char u referohet këtu. - Mbi kundërshtinë, mbi bashkëjetesën e një piktori, “të ditës” dhe një piktori “të natës” (dy kohë, dy mënyra e bile dy të folura), mbështetet skema e ndryshimit elementar në tërësinë e artit të Georges de la Tour.
“Rrethi i qiriut”- është fjala për atmosferën që jepet në një nga tablotë e Georges de la Tour, titulluar “Fryrësi i llambës” (1593-1652)., të cilën Char e merr për subjekt te "Në të njëjtin bosht". Kjo tabllo e Georges de la Tour, me nënshkrim e tij, është e pranuar njëzëri nga specialistët, të cilët e vendosin atë rreth vitit 1640. Tema është e një thjeshtësie skajore dhe e një force të rrallë. Duke dalë nga errësira, fëmija, që i fryn një druri për të ndezur një llambë vajguri, s’ndriçohet veçse prej një dritëze druri të përflakur. Dritë-errësira e krijuar kështu, thekson shformimin e fytyrës të portretizuar më shumë realizëm.
II – “Gërmadha e Albionit”. Kundër projektit të vendosjes së një baze raketash mbi pllajën e Albionit (Vauclusez). R. Char hartoi një testament shumë polemik, që pati përkrahjen e Barthes, Rostand, Sartre e të tjerëve : ”Provansa Pikë Omega”.

No comments: