Friday, September 5, 2008

Rodin

Këta këmbësorë unë i kam shoqëruar gjatë. Ata më paraprinin ose lakadridheshin, duke belbëzuar e duke u lëkundur në sajë të një shakulline që i mbante orë e çast në shenjë. Ata, pak kishin dëshirë të arrinin në port e në det, për t’iu nënshtruar trillit të egër të armikut. Sot lira me gjashtë korda e dëshpërimit, që këta burra formonin, ka nisur të këndojë në kopshtin mbushur me mjegull. S’ishte e pamundur që Ëstaku, besniku, fantastiku, ta ketë paraparë rrjedhën e tij të vërtetë, e cila nuk mendohej në çastin e llahtarës, por në murmurimën e mbytur brenda një trupi të palëkundur.
___________________
Teksti i referohet “Qytetarët e Calais”, grup skulpturor i përfunduar nga Auguste Rodin në 1886 nën kujdesin e bashkisë. Rodin frymëzohet mbi të gjitha nga faqet e kronikës së famshme të Jean Froissart, që rrëfejnë një episod të famshëm të Luftës së Viteve Njëqind. Ushtria e mbretit të Anglisë Edoardo lll, mbajti të rrethuar qytetin e Calais. Ky iu kthye përsëri urisë pa asnjë shpresë ndihme nga jashtë. Në këmbim të paprekshmërisë e të lirisë së banorëve, të detyruar të dorëzoheshin, Eduardi i lll, kërkoi që gjashtë persona të shquar të Calais t’i paraqiteshin atij kokëjashtë, të zbathur, me një litar në qafë, për t’i dorëzuar çelësat e qytetit e të kështjellës. I pari e pranoi sakrificën qytetari më i pasur, Eustache de Saint-Pierre. Pesë të rangut të tij iu bashkuan atij, e të gjithë bashkë morën për në vijat armike, të vetëdijshëm për fatin që i priste: kokëprerja e menjëhershme. Ky ishte në fakt vendimi i mbretit anglez, në kundërshtim me ndërhyrjet e shpurës së tij e të vetë mbretëreshës. Në fund, lutjet e të qarat e bashkëshortes, që priste një fëmijë, thyen vrazhdësinë e Edoardo lll.

Ky episod është marrë nga disa variante, që e forcojnë efektin dramatik. Në një nga punët teatrale më të shquara të Georg Kaiser, Die Bürger von Calais (qytetarët e Calais, 1917), dhe në disa faqe të studimit mbi Rodin, që ka bërë Rainer Maria Rilke. Kopshti i përmendur në tekst është ai i Muzeut Rodin të Parisit.

No comments: