Sunday, September 21, 2008

I shtrenjti im Thouzon

Kur dhimbja e pat vendosur atë mbi çatinë e tij të lakmuar, një dituri e spikatur u shfaq tek ai pa mjegulla tymi. Ai nuk gjendej më në lirinë e tij ashtu si dy rrema në mes të oqeanit. Dëshira e ethshme që e robëronte për të folur, qe strukur me ujërat e errëta. Aty-këtu ngulmonin ca fërgëllima të rralla me anë të cilave ai gjurmonte llapashitjen e dobët. Një pëllumb graniti gjysmë me maskë maste me krahët e tij mbeturinat e hallakatura të veprës së madhe të gllabëruar. Mbi shpatet e lagët, gërsheti i shkumave dhe rrjedha e mjerë e formave të shpërndara. Në shekullin e rreptë që po shpalosej, do të hiqej privilegji për të korrur pa zeher. Të gjitha rrëketë e lira e maniake të fantazisë kishin mbaruar më në fund së hedhuri vickla. Në mbarim të jetës atij do t'i duhej t'i lëshohej ndërmarrjes së re, asaj që përpjekja vigane ia kishte miratuar në çdo feksje të ditës. Dita vorbullonte mbi Tuzon. Vdekja nuk ka, si urthi i dystuar, shpresën e dëborës. Në zgavrën e qytetit të përmbytur, briri i hënës nakatoste gjakun e fundit dhe llucën e parë.
_______________
Thouzon - është lokaliteti jo larg nga vendi i ReneChar, gërmadhat e të cilit flasin se i përkasin një qyteze në kodër, tashmë vendstrehimi është kështjella e Katarit, simboli i së cilës ishte pëllumbi.

No comments: