Thursday, August 28, 2008
Balada e fikut
Aq ngriu sa degët ngjyrë qumështi
Penguan sharrën, u thyen mbi duar.
Pranvera nuk i pa të blerojnë hijeshitë.
Fiku i kërkoi zotit të rrëzimit
Shkurrajën e një feje të re,
Por harabeli krah verdhë, profeti i tij,
Mëngjesin e nxehtë të kthimit,
Duke qëndruar mbi fatkeqësi,
Në vend të urisë mbaroi nga dashuria.
___________________
Ai njeri ishte bujar jo sepse donte të dukej bujar në pasqyrën e tij. Ai ishte bujar sepse vinte nga Plejadat e se urrehej.
E njëjta hije shkapërdare, me falangat e gishtërinjve të ngritur, na u ngjit atij dhe mua. Një diell që s’ishte fare për ne u arratis si një baba në faj ose i keqshpërblyer.
_____________
“Vinte nga plejadat”- flitet për Paull Eluard, mikun e madh të R. Char.
“Me falangat e gishtërinjve të ngritur”- shenjë shkapërderdhje, prishje pa hesap, ishte një nga shenjat e tij karakteristike.
Etja mikpritëse
Kush e dëgjoi atë ndonjëherë të ankohet?
Askush tjetër veç asaj s’do kishte mundur t’i pinte pa vdekur
të dyzet lodhjet,
Të presësh ku e ku më përpara ata që do të vinin më pas;
Sa ngrihej deri sa binte lëvizja e saj qe burrërore.
Kush ka gërmuar pusin dhe ka ngritur përpjetë ujin e shtrirë
Rrezikon zemrën e tij me hapjen e duarve të veta.
________________
Yvonne Zervos - kujtimit të saj, aktivitetit të saj të palodhur frymëzues e veprues në dobi të artit. Vetëmohimit e bujarisë së saj, “etja mikpritëse”, “dyzet lodhjet”. I dedikohet një Homazh me përmbajtje dëshmish të ndryshme nga artistë e miq._Munguese në janar 1970, ndërsa bëhej gati të plotësonte ekspozitën, të ideuar e parapërgatitur prej saj, të punëve të Pablo Picasso të viteve 1969 - 70, pastaj të përmbushur në maj - tetor po të vitit 1970 në Pallatin e Papëve të Avignon.
Nudo e humbur
Do të marrin degëza ata qëndrueshmëria e të cilëve di ta përdorë natën me nyje që i paraprin dhe pason vetëtimën. Fjala e tyre e kap ekzistencën e frytit të herëpashershëm i cili, duke u ndarë në llokma, e përhap atë. Ata janë fëmijët incestual të pjesës së prerë e të nënshkrimit, që e çuan në skaje rrethin e lulëzuar të poçes së grumbullimit. Egërsia e erërave i mban ende të zhveshur ata. Përballë tyre fluturon një push i natës së errët.
___________________
Në këtë fund mbasdite të prillit 1964, shqiponja e vjetër despote, kovaçi i gjunjëzuar, nën renë flakëruese të fyerjeve të tij (punën e tij, d.m.th. vetveten ai s’pushoi së fshikulluari me fyerje ), me zbuloi mu mbi shtrojën e studios së tij, dukja e Karolinës, modelja e tij, fytyrën e pikturuar mbi pëlhurën e Karolinës - pas shumë çjerrjesh, plagësh, blanash? - fryt pasioni midis gjithë objekteve të dashurisë, fitimtar i gjigantizmit të shtirë të eshtrave të mbledhura të vdekjes, dhe gjithashtu i copëzave ndriçuese të sapondara, nga ne të tjerët, dëshmitë e tij kalimtare. Përtej folesë së tij të dëshirës dhe mizorisë. Ai reflektonte këtë fytyrë të bukur, pa të dikurshmen që do të vriste gjumin, në pasqyrën e pamjes sonë, tejçues kalimtar i përbotshëm për gjithë sytë e ardhshëm.
___________________
Alberto Giacomettii, 1901-1966”, skulptor e piktor zviceran. Në Francë, qysh prej vitit 1921, ai qe një kohë surrealist. Personazhet e tij prej bronzi janë fijezorë dhe të shqetësuar.
“Tejçues kalimtar i përbotshëm”- thuhet për atë që, nga përkatësia e veçantë e grupit të gjakut, mund të marrë dhe sipas radhës t’u japë gjak e individëve të grupeve të tjera.
Unë kam shëtitur në bregun e Çmendurisë
Kërkesave të zemrës sime,
Nëse ajo s’i deklaronte,
Shoqja ime u dorëzohej,
Kaq krijuese është mungesa.
E sytë e saj në zbaticë si Nili vjollcë,
Dukeshin se numëronin pafund pengjet e tyre duke u zgjatur
Teposhtë guralecëve të freskët.
Çmenduria kreshpëronte xunkthet e gjata me majë.
Diku ky lumë jetonte jetën e tij të dyfishtë.
Ari mizor i emrit të tij befas pushtues
Vinte t’i dorëzonte betejën fatit armiqësor.
___________________
Titulli i referohet një rregulli yjor dhe jo një rregulli gjeografik. “bregu i çmendurisë”- Çmenduria është emri i një lumi, që e ka prejardhjen nga rryma e tij gjarpëruese, e paqëndrueshme, e çuditshme.
Monday, August 25, 2008
Tarafi i memecit
Gurët shtrëngonin njëri-tjetrin në bedenat e kalasë e njerëzit ushqeheshin me myshkun e gurëve. Nata e thellë mbarte pushkë e gratë nuk lindnin më. Poshtërimi kishte pamjen e një gote uji.
Unë jam bashkuar me guximin e disa njerëzve, kam jetuar dhunshëm, pa u plakur, misteri im midis tyre, kam fërgëlluar nga jeta e gjithë të tjerëve, si një barkë e papërmbajtur përmbi thellësitë e ndara.
______________
“Tarafi i memecit”- është rifillimi i një motivi: kushtet njerëzore në kohën e Rezistencës, për të cilën Char ka dëshmuar para së gjithash te “Gjethe hipnoze”.
“mbarte pushkë”, djemtë mobilizoheshin ushtarë.
“gotë uji” aludim për Vichy, stacioni i ujërave termale e vendi i qeverisë kolaboracioniste të Philippe Pétain.
Të kam treguar Gurin e Vogël, prikën e pyllit të tij,
qiellin që lind mbi degë,
Bollëkun e zogjve të tij gjuetarë zogjsh të tjerë,
Polenin dy herë të gjallë nën flakën e luleve,
Një kullë që e kanë ngritur tutje si pëlhura e anijes pirate,
Liqenin të ribërë djepi i mullirit,
gjumi i një fëmije.
Atje ku më la pa frymë rripi im i borës,
Nën çatinë e një shkëmbi laragan nga korbat,
Braktisa nevojat e dimrit.
Ne duhemi sot pa të përtejme e pa prejardhje.
Të zjarrtë a të shuar, të ndryshëm por bashkë,
Duke u mënjanuar nga yjet me natyrën për të fluturuar
pa arritur gjëkundi.
Anija merr rrugën drejt majës së detit bimor.
Zjarrefikur na merr në bordin e saj.
Ne qemë ngritur që para agimit në kujtesën e saj.
Ajo strehoi fëmijërinë tonë, stolisi moshën tonë të artë,
E ftuar, bujtinë shtegtuese, gjersa ne besojmë në të vërtetën saj.
__________________
“Guri i Vogël”- është një fshat i vogël afro 50 kilometra nga Reno. I mobilizuar në fillim të Luftës së Dytë botërore, R. Char, e pat njohur këtë vend në vjeshtën e 1939.
Me fustan ulliri
E dashuruara
Kishte thënë:
Besoni në besnikërinë time shumë fëmijërore
E pastaj,
një luginë e hapur
një brinjë që shkëlqen
një shteg afrie
kanë pushtuar qytetin
ku dhimbja e lirë rri poshtë dëshirës së zjarrtë të ujit.
________________
Baronitë - qytete të vogla të shpërndara, që një kohë formonin ndoshta një Baroni, prej nga kanë marrë emrin. Një shesh i vogël me shatërvanë me lajtore publike: Në atë kohë vend vallesh festive.
Në qiellin e njerëzve, buka e yjeve m’u duk e zymtë e thekur, por në duart e tyre të ngushta unë lexova dyluftimin e këtyre yjeve duke ftuar të tjerët; emigrues të urës akoma ëndërruese. Unë mblodha prej tyre djersën e praruar, e për mua toka pushoi së vdekuri.
________________
Dyluftimi - përdoret në kuptimin më të vjetër të ndeshjeve kalorësiake.
I këndellur nga mirësia e një fryti dimëror, futa zjarrin në shtëpi. Qytetërimi i shtrëngatave pikonte në strehën e çatisë. Unë do mund me nge të urrej traditën, të ëndërroj për brymën e kalimtarëve mbi shtigjet pak grindavece. Por kujt t’ia besosh fëmijët e mi të palindur kurrë. Vetmia ishte e zhveshur prej aromave të saj, flaka e bardhë humbiste duke mos lëshuar nga ngrohtësia veç gjestin e vdekur.
Pa madhështi kapërceva këtë botë të murosur. Do ta doja pa pallto atë që dridhej nën mua.
___________________
Nuk na qetëson asgjë kur ecim duke mbajtur një dorë, lulnajën e rrezikshme të mishit të një dore. Errësimin e dorës që na shtyn e na heq zvarrë, të pafajshëm gjithashtu, dorën erëmirë ku ne shtohemi e ruajmë burimet, që s’na largon përroskën e gjembin, zjarrin e parakohshëm, rrethimin i njerëzve, këtë dorë të dashur mbi çdo gjë, që na heq dyfishimin e hijes në ditën e muzgut. Në ditën që shkëlqen përmbi muzgun, pragu i trazuar i grahmës së saj.
__________________
“Mëngjarashi”- Sipas marrëveshjes së vjetër, por jo gjithmonë e kudo, dora e majtë do të ishte dora e zemrës.
Perëndimi prapa vetvetes së humbur
Perëndimi prapa vetvetes së humbur, supozuar i gllabëruar, i pacënuar për hiç, jashtë kujtesës, shkulet nga shtroja e tij vezake, ngjitet pa regëtima, më në fund ngrihet dhe arrin vendin e takimit. Njolla shkrin. Burimet derdhen. E përpjeta e rrjedhës buçet. Dhe poshtë delta bleron. Kënga e kufijve shtrihet deri në pikëvrojtimin e luginës. Pak i kënaqur është poleni i verrishtave.
________________
Pijanecija
Përse t’i lëshojmë akoma bisedat për të ardhmen e vetvetes tani që çdo fjalë drejt majës është gojë raketash ulëritëse, që zemra e atij që dihat është ujëvarë kutërbimi?
Për të thirrur ty me një gulçimë: ”Nga vjen ti pijanece, motër me thonj të djegur? Dhe cilin kënaqe? Ti nuk ishe kurrë në shtëpinë midis kallëzave të tua. Kosa ime betohet për këtë. Unë s’do të kallëzoj, unë do të paraprij."
__________________
Midis gjithë asaj që shkruhet larg nga vëmendja jonë, pafundësia e qiellit, me sfidat e tij, rrokullisjet e tij, fjalët e panumërta, s’është veç një frazë pak më e gjatë, pak më ulëritëse se të tjerat.
Ne e lexuam atë rrugës, me fragmente, me sy të lodhur ose të sapolulëzuar dhe i dhamë kuptimit të saj atë që na u duk në mëdyshje dhe e varur nga vetë orientimi ynë. Kështu ne e gjejmë natën të ndryshme, jashtë mishit të saj e tonit, më së fundi në mënyrë solidare të përgjumur e rrezatuese të ëndrrave tona. Këto vijnë vërdallë, hallakaten pa e provuar prangosjen. Nuk pushojnë kurrë së qeni kështu.
____________________
Mbi të njëjtin bosht
I
Saktësia e Zhorzh dë La Tur
Kushti i vetëm për të mos rënë në vetminë e paanë ishte të hyje në rrethin e qiriut, të mbeteshe aty, duke mos iu dorëzuar ngasjes për të zëvendësuar errësirat me ditën dhe vetëtimat e tyre të vazhdueshme me një fund të paqëndrueshëm.
*
Ai hap sytë. Është ditë, thonë. Zhorzh dë La Tur e di se karroja e dorës e të mallkuarve është kudo në rrugë me ngarkesën e saj të dhelpërisë. Mjeti u përmbys. Piktori bën inventarin. Asgjë nga ajo që për së tepërmi i shkon për shtat natës dhe dhjamit të ndritshëm, i cili ngazëllen familjen, nuk duket e pleksur. Mashtruesi, mes dredhisë e çiltërsisë, me dorën pas shpine, nxjerr nga brezi i tij një as karo; qelepirxhinjtë muzikantë kacafyten. Shuma që luhet s’ia vlen më fare ndaj thikës që pas pak do të godasë; falli nuk është vjedhja e parë e një arixheshke të re dinake; sazexhiu i vielës, sifilitik, i verbër, qafën njollosur me stërkunguj, këndon një vaje të mistershme. Është ditë, hidrauliku i përkryer i sëmundjeve tona. Zhorzh dë La Tur këtu nuk gabohet.
II
Gërmadha e Albionit
Sa shpues të lëvores tokësore bujare të Albionit e masin atë mirë: ne luftojmë për një vendqëndrim ku dëbora nuk është vetëm ujkonja e dimrit, por gjithashtu dhe verrishta e pranverës. Dielli aty lind mbi gjakun tonë kërkues dhe njeriu nuk është kurrë në burg tek shtëpia e të përngjashmit të tij. Në sytë tona ky vend e vlen më shumë se buka jonë, sepse ai nuk mund të zëvendësohet prej saj.
________________
Georges de la Tour lindi në 14 mars 1593, vdiq në 30 janar 1652, është një piktor nga Lorena. Artist në kryqëzimin e kulturave skandinave, italiane e franceze, bashkëkohës i Jacques Callot dhe i vëllezërve Le Nain. La Tur është një vëzhgues depërtues i realitetit të përditshëm. Me prirjen e tij ndaj natyralizmit dhe kujdesin që i kushton lojës së hijes e dritës, ai është një nga vazhduesit më origjinalë të Karavazhizmit (rrymë në pikture dalë nga piktura e Caravage, piktor italian, 1571 1610, realizmi i veprave të të cilit ushtron një influencë të madhe në pikturën evropiane). Georges de la Tour është heroi më misterioz në historinë e artit. Piktor i suksesshëm nën Luigjin e XIII, ra në harresë për të rilindur në shek. e XX.
René Char ka zbuluar veprën e de La Tur në ekspozitën “Piktorët e Realizmit në Francë në shek. e XVII”, organizuar në muzeun e Portokallishtes nga nëntori 1934 deri në shkurt 1935. Është hera e parë që publiku shihte bashkë trembëdhjetë nga pesëmbëdhjetë tablo të atribuara artistit dhe kjo ishte një zbulim.
Hileqari në as karo, Kacafytja e muzikantëve, Fallxhorja, Sazexhiu i vielës (vegël e vjetër muzikore), janë katër vepra të Zhorzh dë La Tur të cilave R. Char u referohet këtu. - Mbi kundërshtinë, mbi bashkëjetesën e një piktori, “të ditës” dhe një piktori “të natës” (dy kohë, dy mënyra e bile dy të folura), mbështetet skema e ndryshimit elementar në tërësinë e artit të Georges de la Tour.
“Rrethi i qiriut”- është fjala për atmosferën që jepet në një nga tablotë e Georges de la Tour, titulluar “Fryrësi i llambës” (1593-1652)., të cilën Char e merr për subjekt te "Në të njëjtin bosht". Kjo tabllo e Georges de la Tour, me nënshkrim e tij, është e pranuar njëzëri nga specialistët, të cilët e vendosin atë rreth vitit 1640. Tema është e një thjeshtësie skajore dhe e një force të rrallë. Duke dalë nga errësira, fëmija, që i fryn një druri për të ndezur një llambë vajguri, s’ndriçohet veçse prej një dritëze druri të përflakur. Dritë-errësira e krijuar kështu, thekson shformimin e fytyrës të portretizuar më shumë realizëm.
II – “Gërmadha e Albionit”. Kundër projektit të vendosjes së një baze raketash mbi pllajën e Albionit (Vauclusez). R. Char hartoi një testament shumë polemik, që pati përkrahjen e Barthes, Rostand, Sartre e të tjerëve : ”Provansa Pikë Omega”.